Ministria e Jashtme greke me reagim për komisarin Han lidhur me përdorimin e emrit
![](https://i1.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2018/01/image_2018_01_09_1111_1515492572-e1515840050948.jpg?fit=630%2C354&ssl=1)
Ministria e Punëve të Jashtme greke, përmes një njoftimi, reagon ndaj, siç thonë ata, “sërish përdorimit gabim të emrit të IRJM-së” nga ana e eurokomisarit Johanes Han për gazetën gjermane “Shpiegel”.
MPJ greke, sipas korrespondentit të MIA-s nga Athina, thotë se përdorimi i “frazave të papërshtatshme” nuk ndihmon për të bërë përparim në bisedimet për emrin, por gjithashtu se kjo nuk është në përputhje me rolin e BE.
“Ne i bëjmë thirrje komisionerit Han që të respektojë legjislacionin ndërkombëtar dhe të mos i shkelë, ndër të tjera, vendimet dhe detyrimet e vetë BE-së. Veçanërisht në një moment mjaft kritik si sot, kur negociatat janë duke u zhvilluar. Përsëritjet e frazave të tij joadekuate nuk kontribuojnë në arritjen e përparimit në negociatat për emrin. Gjithashtu, ato nuk janë në përputhje me rolin konstruktiv që duhet të kenë anëtarët e Bashkimit Evropian”, tha MPJ greke, transmeton MIA.