Dykuptimësia e fjalës moral dhe etikë në raport me politikën në Ballkan

Zhvillimet anakronike në politikën e politikbërësve në vendet ballkanike e  kanë relativizuar edhe kuptimin e vërtetë dhe fillestar të fjalëve moral, apo i(e) moralshëm-e, etikë/e dhe nuancat e tyre semantike. Ajo që deri dje konsiderohej moral dhe virtyt njerëzor dhe në jetën e përditshme është kryekëput e kundërt me fjalën hipokrizi apo dyfytyrësi, në politikë ka marrë ngjyrim të specializuar semantik, gjegjësisht sfera e politikës është situatë speciale, ku kjo fjalë përbën përjashtim nga rregulla e përgjithshme.

Nëse të gënjesh dhe të mashtrosh në jetën e përditshme është e turpshme dhe e gjykueshme, në politikë është aftësi dhe shkathtësi që të ngren lart në vendimmarrjen politike, si një virtyt që s’mund ta ketë secili, dhe prandaj është për t’u vlerësuar.

Vetëm në politikë është e lejuar t’i hash fjalët, të thuash të kundërtën në një afat kohor të mëvonshëm, të premtosh edhe atëherë kur je i vetëdijshëm se premtimi është i parealizueshëm, është e lejuar të vjedhësh pak, por jo ta teprosh, dhe të ngjashme.

Ky tjetërsim rrënjësor i vlerave dhe i sjelljes etike, që në jetën e përditshme dhe profesionale apo ekonomike shkakton neveri dhe përbuzje nga bashkëqytetarët apo klientët dhe konsumatorët, dhe detyrimisht sjell deri te humbja e kredibilitetit dhe besimit nga të tjerët, nuk vlen vetëm për politikanët, sepse ata janë një rast special, një racë më e lartë njerëzore të cilëve u lejohet gjithçka!

Për ta nuk vlejnë as edhe urdhëresat dhe udhëzimet e profetëve, si p.sh. mos vidh, mos vra, mos e tradhto gruan, mos e lakmo pasurinë, po gruan e tjetrit, mos ia bën tjetrit atë që nuk do të ta bëjë ty askush, respekto prindërit, duaje të afërmin dhe të ngjashme.

Një person që u përmbahet urdhëresave të besimit të tij fetar, që i respekton ligjet e shtetit ku jeton dhe që jep kontributin e vet modest në përparimin e shoqërisë, është më se i respektuar dhe i vlerësuar nga të tjerët, si një njeri i moralshëm dhe i devotshëm, që s’i bën dëm askujt, dhe ndihmon me aq sa mundet.

Por për ta vërtetuar deri në fund moralitetin e një individi mjafton që t’i jepet mundësia të ngjitet në shkallët e pushtetit, me anë të të cilit, pritet që të punojë dhe sakrifikojë edhe më shumë për avancimin dhe mirëqenien shoqërore.

Se çka ndodh në ndërkohë nuk e dimë, por se ndodh një transformim shpirtëror ne mendjen e tij është më se evidente. Pas vetëm një kohe shumë të shkurtër, nga narcisoizmi dhe vetëpëlqyeshmëria, ai fillon të bëhet gjithnjë e më indiferent dhe moskokëçarës, mosmirënjohës ndaj atyre që i kanë dhënë ‘lejen’ të ngjitet këtyre shkallëve, pak nga pamundësia për t’i ndihmuar të gjithë për shkaqe objektive, por më shumë nga ‘verbimi’ prej dritës së pushtetit, që pastaj nga humbja e ‘dëgjimit’ për hallet e njerëzve të thjeshtë, për të cilët ka dalë vullnetar dhe është zotuar se do të punojë me të gjitha forcat.

Dhe në vend që kjo të konsiderohet devijim dhe shmangie nga zotimet, nga po ata që i kanë dhënë mandatin, ai konsiderohet i aftë dhe i shkathtë nga goja, sepse din si të arsyetohet për punët e pabëra, duke premtuar në të njëjtën kohë se i duhet edhe pak kohe për ta mbajtur premtimin, për shkak të rrethanave të paplanifikuara objektive, të cilat gjoja së kanë krijuar pengesa dhe kanë shkaktuar prolongimin e kryerjes së punëve.

Nga ana tjetër, shija e pushtetit është e shoqëruar nga mendjemadhësinë dhe mbivlerësimin individual të bartësit të pushtetit, nga fakti se ata habiten edhe vetë me zotësinë e tyre, që kanë arritur të ngjiten aq lart në piedestalin e pushtetit, por edhe nga paranoja e humbjes së tij, dhe nga ‘vjedhja e postit’ nga pretendentë të tjerë.

Ruajtja me xhelozi e karriges së pushtetit për të shndërrohet ne obsesion, dhe secili që e kujton për zotimet e dhëna, që e qorton për të mirë, atij i duket se e aspiron vendin e vet, dhe si rrjedhojë fillon të abuzojë më pushtetin drejt “gjuajtjes së shtrigave” dhe luftimit preventiv të atyre që mendon se e dëshirojnë karrigen e pushtetit, duke shkaktuar rrugës pasoja të pariparueshme në drejtim të dëmtimit të fateve individuale dhe familjare.

Pikërisht ky transformim shpirtëror i atyre që pushtetin e kanë marrë rastësisht dhe pa meritë, i bën ata të rrezikuar, sepse thellë në zemër edhe ata vetë janë të vetëdijshëm se ky ishte vetëm një ‘bingo’ dhe nuk do të zgjasë shumë, por kjo nuk i pengon që të ‘japin maksimumin’ e tyre për ta zgjatur atë së më shumë që të jetë e mundur.

Përfundimisht, s’mund të mos e pyesim veten pse vallë ndodh kjo vetëm në Ballkan dhe jo në vendet demokratike perëndimore?! Përgjigja është shumë e thjeshtë: në perëndim vlerësohet meritokracia profesionale dhe cenzusi ekonomik, pasi që vetëm ai që e ka dëshmuar veten si profesionist i shquar por edhe që këtë e ka dëshmuar me suksesin e vet në biznes dhe ekonomi madje edhe me traditë të madhe familjare në vazhdimin e suksesit ekonomik.

Kjo i bën ata të besueshëm se nuk e pretendojnë pushtetin për motive materiale dhe financiare, sepse ata këtë tashmë e kanë me bollëk, dhe vetem dëshirojnë që të vihen në shërbim të të tjerëve.

Ndërsa te ne në Ballkan, pushtetin e aspirojnë ata që kanë dështuar në profesion dhe ekonomi, dhe dëshirojnë që pushtetin ta shfrytëzojnë si kompensim dhe si mjet për arritjen e këtyre aspiratave. Çuditërisht ata na mbarim te mandatin dalin më të pasur si me ‘dije’ ashtu edhe me financa, pa marrë parasysh së njerëzit përreth gjithnjë e më shumë varfërohen dhe shpërngulen jashtë vendit për një jetë më të mirë.

Ku është këtu morali dhe etika, ec e merre vesh! Pasi nuk mund ta marrim vesh, dhe këtë e falim dhe arsyetojmë si dukuri normale shoqërore, me çka ua çelim rrugën dështakëve dhe parazitëve të tjerë, që të kalojnë nëpër rrugën e njëjtë, sepse ia vlen barra qiranë.

Jo rastësisht jemi aty ku jemi sepse kaq meritojmë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button