Erdogan: Operacioni në Afrin vazhdon derisa të arrihen rezultatet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Operacioni Dega e Ullirit të cilin Turqia e filloi kundër organizatave terroriste PYD/PKK dhe DEASH në Afrin të Sirisë do të vazhdojë derisa të arrihen rezultatet e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftuan burimet presidenciale, në ditën e gjashtë të operacionit, Erdoğan vizitoi Qendrën Operacionale në provincën Hatay në jug të Turqisë.

Presidenti turk u shoqërua nga Ministri i Mbrojtjes, Nurettin Canikli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Hulusi Akar, Komandanti i Komandës së Dytë Ushtarake, Ismail Metin Temel, Zëvendëskryeministri Bekir Bozdağ dhe Guvernatori i Hatayit, Erdal Ata.

Qendra operacionale në fjalë është përgjegjëse për menaxhimin e Operacionit Dega e Ullirit.

Erdoğan u njoftua me rrjedhën e operacionit nga komandantët ushtarakë përmes një video-konference me qendrat e tjera operacionale.

Gjatë adresimit të tij para ushtarëve në këtë bazë, Erdoğan riafirmoi se operacioni do të vazhdojë derisa të arrihen rezultatet.

Ai gjithashtu përsëriti se Turqia nuk ka në synim territorin e një vendi tjetër dhe se Afrini do t’i dorëzohet banorëve të tij të vërtetë pasi të pastrohet nga terroristët, njoftuan burimet.

Ndryshe, të shtunën, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.

Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.

Sipas Shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

Ushtria gjithashtu ka thënë se “rëndësi të madhe” është duke u dhënë të mos dëmtohet asnjë civil dhe se janë duke u shkatërruar vetëm objektivat terroriste.

Afrini ka qenë strehë e madhe për organizatën terroriste PYD/PKK që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi i Asadit në Siri ia la qytetin organizatës terroriste pa luftë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button