Afrohen Lojërat Olimpike të Londrës

Olimpiada e Londrës është më pak se njëqind ditë larg. Anembanë botës, shumë konkurrentëve u duhet ende të kualifikohen për të marrë pjesë në garat gjatë gjashtëmbëdhjetë ditëve të aktivitetit. Të tjerë sportistë po hyjnë në javët e fundit të trajnimit. Kryeqyteti britanik është pothuajse gati për të pritur konkurrentët dhe tifozët e shumtë që do të marrin pjesë.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Londrës është më 27 korrik dhe këtë verë pritet që për në kryeqytetin britanik të udhëtojnë rreth 300 mijë njerëz. Sebastian Coe – atleti britanik, fitues i dy medalje të arta olimpike – është kryetar i komitetit organizues i Olimpiadës së Londrës 2012.

“Kjo nënkupton, para së gjithash, se mbetet ende një punë jashtëzakonisht e madhe për t’u bërë, por unë mendoj se fakti që jemi më pak se njëqind ditë larg nga fillimi i turneut, është me rëndësi për njerëzit. Është ndryshe kur themi se duhen ende shtatë vjet, gjashtë vjet, pesë vjet, katër vjet…, por kur bëhet fjalë për ditë, apo nëse jemi duke folur për më pak se dymbëdhjetë javë, unë do të thoja se është me të vërtetë shumë afër.”

Parku Olimpik pothuajse ka përfunduar. Qendra ujore është e gatshme për notarët si amerikani Michael Phelps, i cili këtë rradhë do të përpiqet të thyej rekordin e tij me katërmbëdhjetë medalje ari. Në lindje të Londrës, objekte të tjera Olimpike janë duke marrë formë. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Jacques Rogge vizitoi këto qendra dhe i shprehu opinionin e tij kryeministrit David Cameron.

“Qysh tashmë, para fillimit të Lojërave, ka një trashëgimi të madhe në lindje të Londrës, një trashëgimi të objekteve sportive dhe kjo është një trashëgimi reale. Zoti kryeministër, ne si Komitet Olimpik Ndërkombëtar jemi të kënaqur. Shumë faleminderit.”

Por jo gjithkush është i kënaqur. Gjatë dy ditëve, pritja në rradhën për paraqitjen e dokumentave të emigracionit arriti mbi 90 minuta në aeroportin kryesor të Londrës, Heathrow. Disa udhëtarë shprehën zemërim dhe vendosën fotografi në internet.

Ligjvënësit britanikë po paralajmërojnë se vizitorët e Lojërave Olimpike mund të përballen me pritje të gjata në rradhët para zyrave të emigracionit apo në aeroplanë. Qeveria thotë se do të marrë masa. Në aeroport është ndërtuar një terminal i përkohshëm posaçërisht për konkurrentët olimpikë.

Ka gjithashtu shqetësime rreth trafikut nëpër rrugë dhe turmave të njerëzve në mjetet e transportit publik gjatë Lojërave.

Një tjetër shqetësim është siguria. Ky do të jetë operacioni i sigurisë më i madh i Britanisë, në kohë paqeje. Buxheti për sigurinë u dyfishua, duke arritur shifrën 882 milionë dollarë. Me një vendim të fundit, Ministria e Mbrojtjes vuri në dispozicion të Olimpiadës  13 mijë e 500 ushtarë. David Rubens është konsulent i sigurisë i specializuar në Lojërat Olimpike.

“Është shumë e vështirë të ruhet ekuilibri midis një aktiviteti të hapur dhe mikpritës dhe menaxhimit të sigurisë. Kjo është ndryshe nga ajo që ndodhi në Vankuver, është gjithashtu ndryshe nga ajo që ndodhi në Pekin.”

Terroristët nuk janë i vetmi shqetësim. Një protestues kohët e fundit ndaloi garën historike të kanotazhit, përgjatë lumit Thames, mes universiteteve të Oksfordit dhe Kembrixhit. Trenton Oldfield notoi para varkës së Oksfordit, duke e detyruar garën të rinisej. Ai tha se ai e bëri atë si një protestë kundër asaj që ai e quajti “shoqëria elitë”.

Duke marrë shkas nga veprimet e tij, shefi i Shoqatës Olimpike Britanike paralajmëroi se do të mjaftonte “një idiot i vetëm”, siç u shpreh ai për të shkatërruar Olimpiadën e Verës.

Olimpiada e ardhshme janë Lojërat Dimërore të viti 2014 në Soçi, të Rusisë. Pastaj vijnë Lojërat Olimpike Verore në Rio de Janeiro të vitit 2016. Por më parë Brazili do të organizojë një tjetër aktivitet të madh sportiv: Kampionatin Botëror të futbollit të vitit 2014. /voa

Lajme të ngjashme

Back to top button