Haxhiu: Na dënoi gjykatësi që e ka bishtin e zënë me derë, ky do të jetë veprimi ynë (Video)
Në një konferencë për media për të folur rreth dënimit me burg me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, kanë folur deputetet e dënuara Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi.
Haxhiu tha se deputetët do të përpilojnë një ankesë ndaj këtij dënimi dhe rasti do të shkojë në Gjykatën e Apelit, shkruan Periskopi.
“Kemi 15 ditë afat që të bëjmë ankesë dhe ne këtë rast do ta dërgojmë në Gjykatën e Apelit”, tha ajo.
Haxhiu tha se me këtë dënim u dëshmua se në Kosovë nuk dënohen kriminelët e të korruptuarit, por aktivistët e deputetët që e mbrojtën territorin.
Haxhiu tha se gjykatësi Beqir Kalludra e ka bishtin e zënë me derë, duke shtuar se qëllimi i tij ishte që të kriminalizohet protesta kundër demarkacionit e asociacionit.
“Ky gjyqtar e ka bishtin e zënë me derë, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Qëllimi ishte që të na shpallin fajtor, që të kriminalizohet protesta kundër demarkacionit e Asociacionit”, tha ajo.