Policia e Kosovës me plan konkret për ruajtjen e rendit në ndërrimin e motmoteve

Policia e Kosovës, ka uruar gjithë qytetarët e vendit për ndërrimin e motmoteve.

Ndërkaq bazuar në angazhimet e saj dhe planifikimet me rastin e kësaj feste, sipas një njoftimi vlerësohet se deri tani situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, transmeton Klan Kosova.

Megjithatë Policia e Kosovës bën të ditur se për të mbretëruar një situatë e tillë edhe gjatë përmbylljes së këtij fundviti dhe fillimit sa më të mbarë të vitit të ri 2018-të, janë paraparë masat e nevojshme policore, por kërkohet edhe një përkushtim dhe vigjilencë e shtuar e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tone.

”Plani policor si pjesë shtesë parasheh edhe shtimin e prezencës dhe vigjilencës policore në lokacione dhe ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme, ku do të mbahen organizime festive, si dhe prezencën policore në trafik për orientim dhe mbarëvajtje të trafikut rrugor.

Me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti të mundshëm, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë dhe të informojnë institucionet e sigurisë për çfarëdo parregullsie apo informacioni të dyshuar, duke përfshirë edhe informacionet apo parregullsitë e mundshme në trafik.

Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të ndryshme.

Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fundvitit.

Policia e Kosovës ua uron të gjithë qytetarëve të Kosovës festat e fundvitit”, thuhet në njoftimin e dërguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button