Koha dhe dilemat e saj

Koha është matësi dhe mësuesi më i mirë që na mëson të njohim dhe të sqarojmë çdo dilemë. Janë njerëzit me veprimet e tyre të nxitura nga interesat personale dhe grupore ata të cilët përpiqen të kamuflojnë dhe mbulojnë çdogjë të qartë.

“Kur më kanë borxh e mbaj mend fortë mirë; kur u kam unë, të më vrasësh, s’më kujtohet “-(Aristofan)
Një qasje e këtillë nuk është karakteristikë e liderëve të mëdhenj, të përkushtuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Nuk duhet të silleni ndaj të tjerëve ashtu siç nuk kishit dashur që dikush të sillej ndaj jush dhe nuk mund të kërkoni nga të tjerët të veprojë ashtu siç nuk keni vepruar dhe nuk veproni vet. Aq më tepër kur përfaqësoni një shembull jo të mirë të një disipline të padisiplinuar. Disiplina shembullore kërkon kohë.

Koncepti i refuzimit, përbuzjes, mosrespektit , injorimit, arrogancës dhe ikjes, shfaq problemin e “rrugës më të shkurtër”.
Njerëzit kur dëshirojnë të evitojnë ndonjë pengesë, kërkojnë rrugën më të shkurtër dhe më të lehtë për të arritur drejt cakut. Por, a është kjo rruga ,,e vërtetë”?
Është plotësisht në rregull dhe e natyrshme që qeniet njerëzore rriten, zhvillohen dhe përparojnë duke shfrytëzuar çdo rrugë të shkurtër dhe të shpejtë, por me kusht që ajo të jetë rruga e vërtetë.

Mashtrimi kurrë nuk mund të jetë rrugë e shkurtër e vërtetë. Është njësoj sikur një student kur përgatitet për provim dhe në vend që të lexojë origjinalin e plotë të materies, ai shërbehet me dorëshkrime dhe tekste të shkurtuara për të kursyer kohë. Ai mund të ketë sukses dhe të sigurojë një notë kaluese, por dituria themelore do të mungojë. Në këtë rast nota është falsë dhe gabimisht e interpretuar. Për pasojë, mund të ndodhë që mashtrimi të bëhet qenësore dhe çdo interpretim i radhës do të shërbejë për mbrojtjen dhe nxitjen e mashtrimit.

Prandaj, politikan dhe liderë të vetëshpallur të cilët veprimin e tyre politik e mbështesin në manipulim dhe mashtrim, gjithmonë janë jetëshkurtër politikisht dhe nuk mund të jenë pjesë e proceseve të mëdha politike. Shumë prej tyre janë të prirur të studiojnë rrethin dhe të informohen nëpërmjet lajmëtarëve latent dhe joserioz, por asnjëherë veten. Ata mund të jenë kompetent vetëm sa i përket standardeve në fuqi, por jo edhe të mençur.

Liderët serioz dhe mendjet e mëdha janë të dhënë pas kontemplacionit të kombinuar me aksionin. Ata e kanë të qartë se burimet e rreziqeve të mëdha për botën, fshihen pikërisht në brendi të çdo individi, politikani dhe lideri partiak. Që do të thotë, në vend të manipulimit dhe mashtrimit, me rëndësi qenësore për një shpëtim definitiv janë proceset e vetëanalizimit të vazhdueshëm dhe të thellë. Fundja, studimi i botës së jashtme nuk është edhe aq i vështirë.

Analiza e të menduarit dhe vetëshqyrtimit më së shumti njeriun e bën njeri.
Rrjedhimisht, aktrimi i të moralshmit nga politikan dhe liderë me një qasje joserioze dhe analiza sipërfaqësore të tipit ,,i kishte thënë, më tha…,” është shumë e lehtë të identifikohet dhe të hiqet si dilemë.

,,Dy tiranë të mëdhenj ka në botë: rasti dhe koha”-(Herder)
Jo më larg se një vit më parë, shqiptarët patën një ,,rast të veçantë” të ndryshimit dhe kthesave të mëdha. Por, politikan të tillë joserioz dhe liderë të vetëshpallur, duke u munduar që të duken më të veçantë dhe më të mëdhenj se vet rasti, përbuzën dhe keqpërdorën të njejtin. Dhe si rezultat, agonia dhe një anomi e përgjithshme shoqërore vazhdon edhe sot.

Por, përkundër kësaj, qytetarët jetojnë me shpresën e një rasti poashtu të ,, veçantë”që do të sjellë viti 2018, por kësaj rradhe për Maqedoninë si shtet dhe qytetarët e saj në përgjithësi.
Dhe, çdo sjellje joserioze dhe e papërgjegjshme nga politikan dhe liderë partiak do të ndëshkohet përsëri nga ,, koha” si një matës i shkëlqyer e cila matet jo në gjatësi, por në thellësi.
“Koha është para me të cilën shumë njerëz paguajnë borxhet e tyre” – Henry Show

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button