Avokatët e Zaevit: “Ryshfeti” është kurdisje
Gjykata e Apelit sot mban seancë në të cilën shqyrtohet ankesa e palës mbrojtëse të kryeministrit të Maqedonisë dhe liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev ku u kërkua që incizimet e masave të veçanta PI të mos jenë dëshmi në procedurën e rastit “Ryshfeti”, i akuzuar Zaev, njofton Portalb.mk.
Në seancën pesëanëtarëshe të Këshillit Gjyqësor, avokati i Zaevit, Jakim Naumov tha se prokurori Publik iku dhe nuk ua dha incizimin e plotë të masave PI.
“Nëse nuk na jep pasqyrë, si mund të përballemi me provat? Çfarë është kjo nëse nuk është procedurë e kurdisur? Ata përdorën agjent-provokues, por urdhër për të nuk ka. Të gjitha mediat, veçanërisht “Siteli”, i publikuan incizimet e Zaevit, që është shkelje e së drejtës së privatësisë dhe për gjykim fer”, tha Naumov.
Ndërkaq avokati tjetër, Vane Andrev tha se agjent-provokuesi, që të kurdisë rastin, iu është lajmëruar Zaevit në orët e vona duke i parashtruar pyetje provokuese.
Prokurori i prokurorisë së lartë publike, Jovan Cvetanovski tha se “masat PI janë përdorur në mënyrë ligjore”. Ai kërkoi nga gjykata që ankesën e avokatëve të Zaevit ta hedhin poshtë dhe incizimi i “Jutjubit”, i njohur si “Një euro për Vicen” të jetë dëshmi kundër Zaevit.
Përndryshe, Zoran Zaev në rastin “Ryshfeti” është i dyshuar për kërkim dhe për marrje të ryshfetit në vlerë prej rreth 160 mijë eurosh nga biznesmeni i Strumicës Ivan Nikollov-Saçevllaev, lidhur me legalizimin e një toke.