Sulm afër një agjencie të inteligjencës në Kabul
Ministria e Brendshme në Afganistan ka thënë se militantë të armatosur kanë hyrë në një ndërtesë të papërfunduar, afër një qendre trajnuese për inteligjencë në Kabul, duke nxitur përleshje të ashpër me forcat e sigurisë, transmeton REL.
Zëdhënësi i ministrit, Najib Danish, ka thënë se sulmuesit kanë hyrë në ndërtesë, afër agjencisë kryesore të Inteligjencës në zonën Afshar në Kabul.
Danish ka thënë se militantët kanë targetuar qendrën e trajnimeve nga ndërtesa.
Forcat e sigurisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë përleshur me militantët, ka shtuar ai.
Është raportuar se në këtë zonë janë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime.
Ende nuk është bërë e qartë se sa militantë kanë qenë të përfshirë në sulm, nuk është raportuar për viktima dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Të dy palët, talibanët dhe grupi militant, Shteti Islamik kanë kryer sulme në të kaluarën në Kabul.
Më 17 dhjetor, militantët talibanë kanë sulmuar dy vende në jug të provincës Helmand, duke lënë të vdekur 11 policë.
Talibanët, që kanë shumë prezencë në Helmand e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.