Merrni shembull nga Ecoguerilla
Shoqata më e suksesshme joqeveritare në Maqedoni ka shumëçka për të mësuar aktivistët qytetarë
Dimri erdhi përsëri dhe si gjithnjë e gjen Maqedoninën me ndotje alarmante. Megjithëse qeveria me një varg komunash kanë ndërruar duar, nga politikanët nuk ka asgjë të re; për shembull kryebashkiaku i Shkupit dhe ministria e ambientit jetësor ftojnë qytetarët të ofrojnë ide për zgjidhje të problemit të ndotjes. Që do të thotë se ata vetë nuk ja kanë haberin se ç‘duhet bërë, ose aktrojnë me populizëm që të heqin problemin nga vetja. Personalisht besoj se bëhet fjalë për të dytën, se pushtetarët e kanë mëse të qartë se ku qëndron problemi dhe si duhet zgjidhur, por kanë frikë ose interese që ai të mos zgjidhet. E kjo do të thotë se problemi nuk do të zgjidhet derisa atyre t’iu bëhet presion adekuat.
Një përjashtim i rëndësishëm nga nivelet e larta të ndotjes sivjet është qyteti i Tetovës. Them i rëndësishëm sepse po ky qytet është përballur me ndotjen më të lartë viteve të kaluara, duke u renditur disa herë në krye të botës. Pra edhe në Tetovë kishim situatë identike – ndotje alarmante, kryesisht nga fabrika Jugohrom dhe politikanë që për interesa të ndryshme shtireshin kinse nuk e dinin dhe refuzonin të zbatonin ligjin.
Rasti në fjalë përfundoi me mbylljen e Jugohromit. Sipas të dhënave zyrtare ndotja në Tetovë që atëherë është zvogëluar për 40%. Por është gabim të mendohet se këtë problem e zgjodhi politika. Në të vërtetë politikanët vazhduan avazin e tyre derisa u mbështetën për muri nga aktivizmi qytetar. E ky aktivizëm pati një bërthamë të vërtetë, katalizator kryesor të revoltës dhe kërkesave të qytetarëve, shoqatën Ecoguerilla.
Mu për këtë shpëtimi nga ndotja nuk duhet kërkuar te politikanët. Si gjithnjë ata do të vazhdojnë më të vjetrën derisa të mbështeten pas muri, e për këtë duhet të ndiqet shembulli i EcoGuerillës. Më poshtë janë pikat që e bënë këtë shoqatë aq të suksesshme; mu ato që duhet të ndiqen e kopjohen.
Fokusi i qartë. Ndryshe nga shoqatat e panumërta joqeveritare, me misione e vizione të trilluara për të thithur fonde, Ecoguerilla që në fillim kishte mision të qartë. Konkretisht ajo tha dhe u angazhua për ulje të ndotjes alarmante dhe ajër të pastër në Tetovë. Dhe me këtë qëllim të qartë Ecoguerilla e pati të lehtë të identifikonte pikat ku duhet vepruar. Megjithëse kjo listë është e gjatë Ecoguerilla me të drejtë u fokusua te ndotësi kryesor – fabrika Jugohrom, e cila kontributonte me 40% të ndotjes në Tetovë. Jorastësisht kërkesa që Jugohromi të punonte sipas standardeve zyrtare ekologjike u bë alfa dhe omega e kërkesave të Ecoguerillës. Koha dëshmoi se shoqata kishte të drejtë; kur u arrit ky qëllim ndotja menjëherë ra për 40% dhe Ecoguerilla pati rezultat konkret për të dëshmuar drejtësinë e kauzës së saj disavjeçare.
Matjet. Një vegël e rëndësishme në duart e Ecoguerillës ishin matjet e ndotjes së ajrit, mbledhja dhe analiza e të dhënave që tregonin nivelet e ndotjes me saktësi matematikore. Kështu Ecoguerilla mund të dëshmonte ndotjen alaramante me shifra konkrete. Po këto shifra mbesin arma kryesore e saj për të vazhduar betejn e mëtutjeshme për ajër të pastër dhe për të mos lejuar regres të sërishëm në situata tanimë të tejkaluara.
Sensibilizimi. Ecoguerilla renditi hapat e saj siç duhet. Para se të kërkojë mbështetje të përgjithshme nga popullata, ajo fillimisht nisi sensibilizimin për ndotjen dhe shkaktarët e saj. Në fillim ishin aksionet guerile kur aktivistët e shoqatës ju bënin prita politikanëve nëpër evente të ndryshme. Më pas vazhdoi sensibilizimi me shifra ku ndotja dëshmohej me parametra konkretë. Ishte aty edhe sensibilizimi i popullatës për përgjegjësinë politike të pushtetarëve, sidomos ministrave të ambientit jetësor, që nuk po zbatonin ligjet dhe vazhdonin të lejojnë Jugohromin të punojë pa filtra.
Mbështetja qytetare. Kur gjykoi se ka arritur nivel të mjaftueshëm të sensibilizimit, Ecoguerilla filloi me protesta në rrugë. Këto protesta të shpeshta u bënë gjithnjë e më masive, ndërsa protestat e fundit arritën të mbledhin me mijëra qytetarë. Ky ishte dhe mbeti rasti i vetëm i protestave aq masive për çështje ekologjike, jo vetëm në Maqedoni po edhe më gjerë në rajon.
Dedikimi. Asnjë iniciativë nuk mund të ketë sukses pa individë të dedikuar kauzës që ja kanë vënë vetes; madje mund të thuhet se pikërisht këtu dështojnë pjesa më e madhe e tyre. Virtyt i veçantë i Ecoguerillës është dedikimi i aktivistëve të saj nga krijimi i kësaj shoqate deri sot. Këta vullnetarë nuk janë dëshpëruar dhe nuk kanë humbur shpresën as në fillim kur kauza ende dukej e pakrye dhe rezultatet ende larg, as pas tentimeve për influencë politike nëpërmjet individëve të caktuar, as pas tërheqjes së turpshme të tyre me plot etiketime për shoqatën, as pas kërcënimeve e shantazheve të ndryshme, e një mori sfidave tjera. Më tepër se çdo gjë tjetër, Pollogu ua ka borxh dedikimin e pashoq të këtyre aktivistëve të Ecoguerillës.
Apolitizmi. Ndryshe nga pjesa dërmuese e shoqatave tjera, Ecoguerilla i ka qëndruar besnike misionit apolitik të saj dhe ka refuzuar të bëhet vegël e ndonjë partie të caktuar politike. Ky ka qenë testi i vërtetë dhe më i rëndësishëm i organizatës, sepse populli i lodhur nga mashtrimet e një varg shoqatash tjera profiterësh të tipit “Zgjohu” e ka patur të vështirë të besojë se ende ka OJQ pa motive politike. Ecoguerilla ka kaluar këtë test për mrekulli. Ç‘është e vërteta ka patur shumë raste kur funksionarë të BDI e kanë etiketuar si anti-BDI, por kjo flet më tepër për vetë pikëpmajen miope të tyre. Ecoguerilla ka kritikuar pushtetin sepse ai nuk ka bërë detyrat e tij, tjetër çështje është se në pushtet ishin BDI me VMRO. Çdokush pa ngjyrim të kaltërt politik e ka të qartë se Ecoguerilla ka qenë politikisht asnjanëse dhe një nga shkaqet e suksesit të saj ishte padyshim ky apolitizëm i saj.
Rezultati. Në rrethanat tona ka mbetur edhe shumë punë për të bërë dhe ka kohë deri sa të thithim ajër vërtetë të pastër. Por rezultatet tregojnë se të paktën në rajonin e Tetovës ndotja është ku e ku më e ulët se në të kaluarën. Nuk kam dyshim se meritat kryesore për këtë i ka Ecoguerilla dhe se pa të Jugohromi do të vazhdonte të tymosë dhe helmojë tetovarët.
Mu ky është mësimi që shoqatat tjera duhet të marrin nga Ecoguerilla. Zgjidhja nuk është te politikanët; ata nuk do të bëjnë gjë po nuk ndjenë presion nga qytetarët. Rruga që ka ndjekur Ecoguerilla duhet të jetë shembull për këdo tjetër që merr përsipër të ndryshojë diçka në të mirë të qytetarëve.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.