Mediat greke: Në mënyrë të përshpejtuar kërkohet zgjidhje për emrin

Pas reagimeve të para pozitive nga raundi i djeshëm i bisedimeve për emrin në Bruksel, të mbajtur pas pushimit prej tre viteve, sot mediat greke shkruajnë se është evidentuar përshpejtim i procesit për tejkalimin e kontestit, por se lëvizja e tillë në planin ndërkombëtar mund të shkaktojë probleme serioze në qeverinë e koalicionit të kryeminsitrit Aleksis Cipras.

Faqja In.gr shkruan se pas lëvizjeve të shtuara lidhur me çështjen e emrit po rritet edhe presioni ndaj qeverisë së Ciprasit, e posaçërisht ndaj partnerit të tij të koalicionit, Panos Kamenos, nga partia Grekët e pavarur, për paraqitje të qëndrimit të qartë rreth kësaj çështje.

Sipas In.gr, SHBA-ja ka vendosur afat që deri në verë të gjendet zgjidhje, ndërsa në të kundërtën do të pasojë hyrja në NATO nën referencën IRJM. Megjithatë, kjo hap çështjen se si Kamenos do të reagojë nëse ofrohet emër kompleks dhe nëse do të dilnin nga Qeveria, duke e pasur parasysh se ai deri më tani kundërshtonte ashpër që fjala Maqedoni të përmbahet në emrin e fqinjit verior.

“Katimerini” e transmeton deklaratën e drejtorit për Dialog për Evropë Juglindore pranë Universitetit Kolumbia, David Filips, i cili është ish-këshilltar në Departamentin amerikan të Shtetit në kohën e presidentëve Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama, se raportet mes Athinës dhe Shkupit janë në zenitin e tyre dhe se viti 2018 është i rëndësishëm për shkak të mundësisë që të vihet deri te zgjidhja që do të jetë në dobi të të dyja palëve.

Sipas Filips, do të jetë me rëndësi përforcimi i lidhjeve ekonomike me Shkupin, përderisa Aleksis Cipras do ta rrisë imazhin e tij ndërkombëtar, sepse zgjidhja e problemit do ta përforcojë sovranitetin e Greqisë në kohën kur Turqia kërkon ripërtëritje të marrëveshjes së Lozanës, ndërkaq do t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Bullgarinë.

Botimi online “Eifimerida” shkruan se diçka po lëviz në Shkup dhe se në mënyrë të përshpejtuar po kërkohet zgjidhje për problemin me emrin. Gjysma e parë e vitit 2018 është koha ideale për zgjidhje të problemit me emrin, sepse në qershor dhe korrik mbahen samitet e BE-së dhe NATO-s, në të cilat SHBA-ja pret të zgjidhet integrimi euro-atlantik i Maqedonisë, por sipas “Eifimerida”-s, e tërë kjo është nën supozimin që problemi me emrin dhe vetoja nga Greqia të tejkalohen.

“Shkupi mund të ketë dobi të shumëfishtë nga lëvizja gjeopolitike në rajon, që do të rezultonte me integrimin e tij të përshpejtuar euro-atlantik”, kumton “Eifimerida”.

Ndërmjetësi Methju Nimic pas takimit të djeshëm me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis, deklaroi se çështja për emrin mundet dhe duhet të zgjidhet vitin e ardhshëm.

Sipas ndërmjetësuesit, edhe në Greqi edhe në Maqedoni është përmirësuar klima për zgjidhje të çështjes së emrit. Paralajmëroi se negociatat do të intensifikohen në periudhën në vijim me takime të reja në Nju-Jork në janar, shkurt dhe mars.

LEXO EDHE:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button