Shaqiri e Xhaka lamtumirë me trofe

Dyshja kosovare, me kampionin e ri e ka fituar edhe Kupën e Zvicrës të mërkurën, pasi e mposhti në finale Luzernin e Hykës, Kukelit, Kryeziut e Shalajt. Futbollisti gjilanas ndihet i lumtur që nga Baseli do të largohet si fitues.

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka i kanë dhënë fund eksperiencës në Basel në mënyrë të suksesshme. Futbollistët kosovarë të mërkurën mbrëma e fituan Kupën e Zvicrës, duke e konfirmuar dominimin në futbollin zviceran.

Baseli, i cili javë më parë e kishte fituar titullin e kampionit, të tretin rresht, në finale të kupës fitoi në duel me Luzernin, ku aktivizohen katër futbollistët tjerë shqiptarë, Jahmir Hyka, Burim Kukeli, Hekuran Kryeziu dhe Gëzim Shalaj.

Loja e rregullt dhe ajo shtesë kanë përfunduar baras, 1:1, prandaj fituesin e këtij trofeu prestigjioz duhej ta përcaktonin penalltitë.

Dhe, më të suksesshëm nga pika e bardhë ishin futbollistët e Baselit, të cilët e fituan kështu kupën për herë të dytë në tri vjetët e fundit. Baseli fitoi 4:2 me penallti, ndërsa njërën prej tyre e shndërroi në gol pikërisht Shaqiri.

Futbollisti gjilanas ditë më parë thoshte se dëshiron ta përfundojë eksperiencën në Basel me sukses dhe ai ia doli. 20 vjeçari, i cili gjatë verës do të transferohet në Bayern Munich, ndihet i lumtur për këtë fitore.

“Ishte një lojë e bukur me shumë raste. Luzerni u mbrojt mjaft mirë, kështu që nuk ishte e lehtë për ne”, theksoi fillimisht përfaqësuesi zviceran.

“Kur shkuam në penallti, kisha ndjenja të mira, sepse e dija se ne e kemi një portier të shkëlqyeshëm, i cili natyrisht se do ta priste së paku një penallti”, u shpreh i gëzuar futbollisti kosovar, i cili e fitoi trofeun e pestë me Baselin.

Derisa tashmë është e qartë se Shaqiri nga korriku do të bëhet bavarez, rrugën e tij për në Bundesligë pritet ta ndjekë edhe Xhaka, i cili, sipas të gjitha gjasave, nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Borussia Monchengladbachut.

Zvicra fton katër shqiptarë
Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka publikuar të enjten listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore ndaj Gjermanisë (më 26 maj në Basel) dhe ndaj Rumanisë (30 maj në Luzern).

Në mesin e të ftuarve vërehen edhe emrat e katër futbollistëve shqiptarë, prej të cilëve Blerim Xhemajli (Napoli), Admir Mehmedi (Dinamo Kiev), Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka (Basel). Jashtë listës ka mbetur Valon Behrami. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button