Trump: Sauditët “menjëherë” të lejojnë hyrje të ndihmave në Jemen
Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë i ka bërë thirrje aleatit të Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite, që “menjëherë” ta përfundojë bllokadën e Jemenit, duke i cituar shqetësimet se ky vend i përfshirë nga lufta është në prag të urisë, shkruan REL.
“I kam urdhëruar zyrtarët në administratën time për ta thirrë udhëheqjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite për të kërkuar që ata tërësisht të lejojnë hyrjen e ushqimit, karburantit dhe ilaçeve, për popullin e Jemenit”, tha Trump dhe ka shtuar se “kjo duhet të bëhet menjëherë për shkaqe humanitare”.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që e mbështet qeverinë e Jemenit, ka imponuar bllokadë ndaj këtij vendi, në kuadër të betejës së vet kundër kryengritësve huthi, të mbështetur nga Irani, në luftën civile trivjeçare në Jemen.
Pardje, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka tërhequr vërejtjen për “situatën e tmerrshme dhe të përkeqësuar humanitare në Jemen” dhe ka konstatuar se ky vend “është para urisë katasfrofale” në masë të madhe, për shkak të bllokadës.
Nga lufta civile në Jemen deri tash janë vrarë më se 10 mijë civilë, ndërsa janë zhvendosur afro 3 milionë njerëz.