Mbështetje për ratifikim të Marrëveshjes së Parisit (Konventa mbi ndryshimet klimatike)

Të nderuar përfaqësues më të lartë të popullit dhe shtetit të Republikës së Kosovës,

Së pari, më lejoni që të bëj një prezentim të shkurtër timin. Unë jam Afrim Osmani (profesor në fakultetin juridik pranë Universitetit të Tetovës – Maqedoni), i njohur edhe si ndër ambientalistët më të njohur e më të shquar në vend, në regjion, si dhe më gjerë.

Të nderuar përfaqësues më të lartë të popullit të Republikës së Kosovës, përmes kësaj letre mora iniciativën që të kërkoj mbështetje nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk e kanë ratifikuar Marrëveshjen e Parisit, që këtë ta bëjnë në afat sa më të shkurtër kohor.
Qëllimi i kësaj iniciative është që edhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e shteteve të cilat e pranojnë marrëveshjen në fjalë, me qëllim të dhënies së kontributit pozitiv në ndryshimet klimatike dhe për ngrohjen globale, që përmes masave të ndërmarra sadopak të kontribuojnë në uljen e temperaturës globale.

Me ratifikimin e kësaj marrëveshje vjen në shprehje sakrifikimi i interesave personale, por në dobi të interesave të përgjithshme dhe mbarë botërore.
Ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor është edhe Republika e Kosovës, e cila fatkeqësisht për momentin nuk ka mundësin politike as të nënshkrimit të këtij dokumenti, e as të ratifikimit. Por kjo nuk donë të thotë që Republika e Kosovës të qëndroj me duart kryq, duke mos e mbështetur, por ta mbështes këtë dokument, meqë të njëjtin e mbështesin edhe shtetet perëndimore dhe ato më të zhvilluara. Fundja fundit, mbështetja e këtij dokumenti është në dobi të vet shtetit të Kosovës.

Marrëveshja e Parisit u miratua më 12 dhjetor të vitit 2015, kurse u hap për ta nënshkruar më 22 prill të vitit 2016, ndërsa hyri në fuqi më 4 nëntor të vitit 2016. Qëllimet kryesore të marrëveshjes së Parisit parashihen në nenin 2:

1. Ky Traktat, për forcimin e zbatimit të Konventës dhe caqeve të saja, ka për qëllim që ta përmirësojë përgjigjen globale përkundër kërcënimeve të ndryshimeve klimatike, në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përpjekjeve për çrrënjosjen e varfërisë, midis tjerash edhe me:

a. Mbajtjen e rritjes së temperaturës mesatare globale nën 2 °C mbi temperaturën në periudhën para-industriale dhe duke bërë vazhdimisht përpjekje për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5 °C mbi temperaturën në periudhën para-industriale, duke parë se me këtë dukshëm do të zvogëlohen rreziqet dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike;

b. Rritjen e aftësisë për adaptimin e ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike dhe për zhvillimin me emisione të ulëta të gazrave serë, në mënyrë që nuk do ta dëmtojë prodhimin e ushqimit;

c. Harmonizimin e rrjedhave financiare me mënyrat e arritjes së zhvillimit me emisione të ulëta të gazrave serë dhe një zhvillim i cili i reziston ndryshimeve klimatike.

2. Ky Traktat do të zbatohet me qëllim që ta pasqyrojë parimin e barazisë dhe përgjegjësitë e përbashkëta por të diferencuara me mundësi përkatëse, duke pasur parasysh rrethanat e ndryshme kombëtare.

Në shtojcë të kësaj letre ua dërgoj edhe Marrëveshjen e Parisit në gjuhën shqipe.

Me shpresë për mbështetje dhe ratifikim sa më të shpejtë nga shteti juaj!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button