Kosovë, ja kur do të betohen kryetarët dhe asamblistët e rinj

Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve (KQZ), certifikoi të mërkurën kryetarët e komunave dhe asamblistët të cilët morën votat e mjaftueshme në zgjedhjet e 22 tetorit dhe 19 nëntorit.

Në certifikim nuk u përfshi komuna e Vushtrrisë, Istogut dhe Parteshit, shkruan Indeksonline.

Tani që janë bërë më shumë se një muaj nga rezultatet e raundit të parë dhe disa ditë nga ato të raundit të dytë, ata që fituan postet janë në pritje për të filluar punën.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në një përgjigje për Indeksonline ka treguar se kur do të bëhet një gjë e tillë.

Sipas MAPL-së, mbajtja e mbledhjeve inauguruese të kuvendeve të komunave është përcaktuar me Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, nenin 42.

“Mbledhja inauguruese e kuvendeve të komunave mbahet brenda 15 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe thirret nga Kryetari (aty ku është zgjedhur). Nëse Kryetari nuk e thërret mbledhjen inauguruese brenda afatit prej 15 ditësh, atëherë, mbledhja inauguruese thirret nga anëtari më i vjetër i zgjedhur i Kuvendit të Komunës, brenda 15 ditëve nga dita kur kryetari i zgjedhur ka dështuar që ta thërret mbledhjen inauguruese”, thuhet në përgjigje.

E nëse edhe anëtari më i vjetër nuk e thërret mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës brenda afatit prej 15 ditëve, mbledhja inauguruese sipas MAPL-së, mund të caktohet me iniciativë të shumicës së anëtarëve të zgjedhur të Kuvendit të Komunës.

Kjo ministri ka bërë të ditur se janë afatet ligjore të parapara për thirrjen e seancave, por duke mos mundur të paraqesin ndonjë datë të saktë se kur do të mbahen mbledhjet konstituive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button