Paqet ballkanike, ura e vjetër dhe gjenerali Praljak

Luftërat në ish-Jugosllavi janë një fatkeqësi e madhe njerëzore me rreth 200 mijë të vrarë dhe me 4 milion njerëz të zhvendosur. Shumë nga të zhvendosurit me dhunë, asnjëherë më nuk u kthyen në shtëpitë e tyre. Në dimensionin e gjerë të saj, tragjedia në ish-Jugosllavi mbase efektivisht filloi në fund të tetëdhjetave me shuarjen e dhunshme të vetëqeverisjes në Kosovë, për të përfunduar me Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund kryengritjes së armatosur shqiptare në Maqedoni. Pavarësisht faktit se lufta gjetiu mund të këtë qenë më e ashpër, sërish në njëfarë mënyre çdo gjë filloi me shqiptarët dhe përfundoi me shqiptarët.

Diplomacia ndërkombëtare diku doli në skenë më herët, diku më vonë. Në Bosnjë-Hercegovinë ajo u vonua në vendosmërinë e saj për më shumë se tre vite më radhë. Sërish, paqet e vendosura, vështirë të quhen të drejta. Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, “paqja” e vendosur përligji spastrimin etnik me qëllim të rrumbullakimit të territoreve monoetnike. Prandaj sot, po të shohim hartën e brendshme të ndarjes së dy entiteteve në Bosnje-Hercegovinë, si dhe ta krahasojmë atë me frontet e luftës diku kah tetori i vitit 1995, do të shohim se ka përputhje në masën më të madhe. Me disa përjashtime sikurse në rastin e Sarajevës, frontet ushtarake u shndërruan në kufij. Atëherë mbase edhe mund të kuptohet më lehtë, përse kthimi i të zhvendosurve mbetet kryesisht zotim në letër, ngase në fund janë ambientet armiqësore ato që dekurajojnë kthimin në masë.

Duke qenë se paqet e vendosura nën diktatin e arritjeve ushtarake në terren, apriori janë të destinuara të jenë të padrejta, atëherë edhe situatat post-konfliktuoze vështirë shkojnë kah fundi i tyre. Si të tilla mbesin të varura në eterin e nacionalizmave ballkanik dhe të gatshme për të shpërthyer gati paparashikueshëm. Megjithatë, as këtu nuk mund të gjeneralizojmë. Disa nacionalizma janë agresiv apo më shumë agresiv, disa lindin si mekanizëm mbrojtës. Për të ilustruar këtë më thjeshtë, duhet kujtuar fjalën e një ushtaraku në Sarajevën e rrethuar – “A kam shkuar unë t’i sulmojë ata në Kralevë, apo erdhën ata nga Kraleva të më sulmojnë mua këtu ?”.

Më vonë e tëra shndërrohet në histori. Njerëzimi përgjithësisht duhet të mësoj nga tragjeditë, e pastaj i takon profileve të ndryshme që të kontribuojnë që këto tragjedi të mos përsëriten. Luftërat në ish-jugosllavi në planin shkencor kanë prodhuar veç tjerash një literaturë impozante në lëmin e historisë ushtarake si dhe të tematikave ushtarako-politike në përgjithësi. Gjenerali Slobodan Praljak, spikatet pikërisht këtu. Shefi ushtarak i “Këshillit Kroat të Mbrojtjes”, të njohur përgjithësisht me inicialet HVO, ishte në këtë funksion për më shumë se tre vite. Ai veç tjerash duket të ketë qenë një njeri i përpiktë deri në detaje, në atë që fillimisht kur prodhohet mund të quhet dokumentacion ushtarak, e që dikur merr formën e literaturës së historisë ushtarake. Shumica e këtyre dokumenteve janë përdorur nga ai dhe mbrojtja e tij, për të argumentuar rolin e HVO-së në luftën në Bosnjë-Hercegovinë.

HVO nuk është forca e parë ushtarake e kroatëve në Bosnjë-Hercegovinë. Por është e para e cila do të organizohet si e tillë, për të shërbyer si forcë ushtarake e strukturës së vetëshpallur para-shtetërore kroate “Herceg-Bosna”. Më herët, madje një vit para vetë fillimit të luftës së hapur në Bosnjë-Hercegovinë, në qytete të caktuara do të shfaqen “Forcat Kroate të Mbrojtjes” të njohura me inicialet HOS. Një formacion ky para-ushtarak i lidhur me Partinë Kroate të Drejtësisë, subjekt ky politik i cili nuk ka mohuar asnjëherë ekzistimin e tij si trashëgimi ideologjike e Shtetit të Pavarur Kroat (1941-1945). Por megjithatë, ndërmjet HVO dhe HOS ka dallime substanciale. HOS i cili tanimë kishte përvojën ushtarake nga Kroacia, kurse sidomos është spikatur në rezistencën në Vukovar, megjithatë asnjëherë nuk ka cenuar sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës. Kur u eliminua fizikisht me anë të një atentati, shefi ushtarak i HOS, Blazh Kraljeviq, si dhe gjithë shtabi kryesor i këtij formacioni, në mesin e të cilëve edhe shqiptari Rasim Krasniqi nga Jabllanica e Pejës, HOS praktikisht u shua. Ishte e qartë se në skenë tani vjen HVO.

HVO njësoj sikurse Armata e Bosnjë-Hercegovinës, fillimisht rezistoi pushtimin serb të vendit. As sot, nisur nga plani ushtarak, vështirë se dikush mund të mohoj meritën e HVO-së në mbrojtjen e territoreve të caktuara nga sulmet e APJ-së, e cila më vonë shenjat ushtarake i kamufloi në “Ushtrinë e Republikës Serbe”. Por në vitin 1993, situata do të ndryshojë në tërësi. Tani në Bosnje-Hercegovinë do të hapet edhe një konflikt i ri i brendshëm ndërmjet Armatës së Bosnje-Hercegovinës dhe HVO-së. Ky edhe është argumenti kyç pse qarqe politike në Beograd dhe Banjallukë, sot përpiqen të tregojnë se lufta në Bosnjë-Hercegovinë nuk është agresion, por është një luftë qytetare ku secili luftoi me secilin.

Spastrimi etnik në Bosnjë-Hercegovinë, në një kohë kur 70% e vendit ishte nën kontrollin ushtarak serb, bëri që të dëbuarit të vendosen në territore të caktuara, gjë që edhe prishin balancën demografike ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve në territoret e lira. Kjo krijoi armiqësi. Kurse vulën kësaj armiqësie i dha plani i paqes “Vance-Ouen” i cili nuk morri shumë parasysh realitetin demografik në Bosnjën Qendrore dhe Luginën e Neretvës. Këto territore u përfshinë në kuadër të kantoneve kroate.

HVO këtë e kuptoi si “leje” për të kërkuar largimin e Armatës së Bosnje-Hercegovinës. Luftërat urbane në Mostar, Gornji Vakuf dhe Vitez, do të bëjnë që lokalitete si këto të jenë qytetet më të shkatërruara në gjithë luftërat në Jugosllavi. Ja që doli se qytetet më lehtë shpëtojnë kur ka një palë të fortë të cilës i kundërvihet një palë më e dobët. Kurse në rastin e këtyre qyteteve, e ku më emblematiku ishte Mostari, si HVO, ashtu edhe Armata e Bosnjë-Hercegovinës, ishin të barabarta në pabarazitë ndërmjet tyre. Armata e Bosnje-Hercegovinës kishte më shumë nga faktori njeri dhe kështu vijat e saj në Mostar nuk u lëkunden, kurse HVO kishte më shumë nga armatimi i rëndë dhe mund të shkaktonte dëme nga largësia. Ishte ky armatim ai që me 9 Nëntor 1993, shkatërroi “Urën e vjetër” në Mostar, për çka përgjithësisht mendohet se ajo u godit nga predha të HVO-së, të cilin e komandonte Gjenerali Praljak.

“Ura e vjetër” e ndërtuar në gjysmën e shekullit të XVI-të, ishte një nga atraksionet më të mëdha arkitekturore në Ballkan, madje edhe tani e rindërtuar sot, vazhdon të konsiderohet e tillë. Kur e pyetën Presidentin boshnjak Izetbegoviq, se cili është momenti më i vështirë që ai ka përjetuar gjatë luftës, u përgjigj se ky moment për të ishe shkatërrimi i urës në Mostar. Sipas tij, aty po përfundonte çdo shpresë për komunikim që do të zëvendësonte luftën. “Ura e vjetër” tregoi se përtej shkatërrimit biologjik të njerëzve, një nga synimet ishte edhe shkatërrimi i kulturës që i përkiste etnisë apo religjionit tjetër.

Gjenerali Slobodan Praljak, asnjëherë nuk pranoi një faj të drejtpërdrejtë lidhur me “Urën e vjetër” në Mostar. Por ai megjithatë do të mbetet si një nga ata pak njerëz të cilët në Hagë në asnjë mënyre nuk i ikën përgjegjësisë komanduese. Sa herë u përmendën kampet e robërve të luftës të cilat po mbikëqyreshin nga HVO, ai megjithatë rikujtonte se vartësve të tij u kishte sugjeruar “mos bëni asgjë, nga e cila do të na vije turp më vonë”. Sërish, u dëshmua se në kampe si në Çapljina apo Heliodrom, janë bërë akte nga të cilat çdo njeri duhet të ketë turp. Por Praljak në asnjë mënyrë nuk jepi shenja se HVO ka mundur të jetë ndryshe përveç një forcë mirë e organizuar në aspektin hierarkik. Ai nuk bëri kompromis.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button