Vetëdija kombëtare apo përgjegjësia qytetare

Me rastin e ditës së pavarësisë sonë kombëtare, përveç urimeve të përzemërta gjithë shqiptarëve anembanë, njëkohësisht shpreh shqetësimet e mia profesionale për fenomenin e Vetëdijes kombëtare kohët e fundit në zhdukje dhe me tendencë të zëvendësimit me termin Përgjegjësi qytetare.

Në fakt, vetëdija kombëtare ka të bëjë me përkatësinë e një popullatë në një territor të caktuar që kanë të përbashkët gjuhën, doket dhe zakonet, si dhe traditat e përbashkëta kulturore dhe zhvillimin historik të një etnikumi.

Pikërisht kjo vetëdije kombëtare ka qenë shtytës dhe promotor i luftës historike dhe shekullore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, si dhe i të gjithë kombeve anembanë rruzullit tokësor. Kushtrimi për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe mbrojtjen të kulmit të shtëpisë, si dhe pronës familjare ka qenë dhe është akoma e drejtë natyrore për të marrë armën në dorë dhe rasti i vetëm kur lejohet edhe me fe dhe zot përdorimi i armës për mbrojtjen e jetës dhe të familjes.

Vetëdija kombëtare nënkupton edhe insistimin permanent të pjesëtarëve të një kombi për të luftuar për përdorimin zyrtar të gjuhës kombëtare si simboli kryesor i një kombi dhe i kulturës së tij nëpër institucionet publike dhe shtetërore, duke dhënë edhe shembullin personal të gatishmërisë për të kontribuuar dhe sakrifikuar për kauzën kombëtare.

Paralelisht me këtë kontekst, në terminologjinë juridike moderne përdoret edhe termi përgjegjësi qytetare që shpesh gërshetohet dhe tenton të zëvendësojë termin e vetëdijes kombëtare, por që është një koncept me i gjërë politik dhe juridik, dhe që nënkupton të drejtat dhe obligimet qytetare për respektimin e ligjit dhe të institucioneve që disponojnë me autorizime publike për zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e obligimeve të qytetarëve ndaj shtetit dhe të së drejtës në përgjithësi.

Tani bëhet pyetja kujt duhet dhënë prioritet në situata të bërjes së zgjedhjes: kulturës dhe traditës kombëtare që janë pasqyra kryesore për vetëdijen mbi përkatësinë kombëtare dhe për obligimin kombëtar për t’i dalë zot kombit, apo nga ana tjetër përgjegjësisë qytetare për obligimin e respektimit të ligjit dhe institucioneve, edhe atëherë kur ato janë diskriminuese, dhe kanë qenë madje represive ndaj pjesëtarëve të kombit tjetër që nuk përbën shumicën, por që njëkohësisht edhe nuk është pakicë kombëtare në shtetin e njëjtë, dhe është sipas preambulës kushtetuese pjesë e një kombi fqinj.

Me këtë analogji, mund t’ia parashtrojmë pyetjen p.sh. një zvicerani që për nga përkatësia kombëtare dhe gjuha e folur dhe zyrtare (Hoch Deutsch) dhe për nga origjina dhe vetëdija kombëtare është pjesë e kombit gjerman, por i prirur nga përgjegjësia qytetare, thotë se është zviceran dhe jo detyrimisht gjerman. Njëjtë mund t’ia parashtrojmë pyetjen një flamani që është folës i një dialekti të popullit holandez, por që e ndan përgjegjësinë qytetare për ardhmërinë e shtetit belg, së bashku me francezët që jetojnë në Belgjikë, por edhe në Zvicër.

Si konkluzion, bëhet pyetja: Çka janë ata sipas vetëdijes kombëtare dhe gjuhës së folur? A e ndjejnë veten gjermanë, francezë apo holandezë folësit burimorë të këtyre pjesëtarëve të një tërësie më të madhe që kanë në fakt edhe shtetet e tyre amë në fqinjësi? A identifikohen ata në bazë të vetëdijes kombëtare apo në bazë të përgjegjësisë qytetare ndaj shtetit te tyre ku banojnë, dhe ku që e ndajnë me pjesëtarë të kombeve tjera, dhe me të cilët e kanë të përbashkët vetëm emrin e shtetit, por jo edhe zhvillimin historik dhe kulturor të kombeve të tyre autoktone?

Kjo është pyetja enigmatike, kush mbisundon atëherë kur duhet të zgjedhësh ndërmjet tyre? Kjo pyetje duket sa e lehtë po aq e vështirë, pasi që nuk rezulton vetëm me një përgjigje absolute? Kush ku e gjen veten është çështje individuale, por dilema është ku i bie të jetë këtu interesi i përgjithshëm dhe e vërteta universale, dhe kësaj vështirë t’i gjendet fundi por as edhe filli.

Sidoqoftë kjo është një pyetje intriguese që në vete ngërthen dhe ka nevojë për një debat dhe hulumtim më të thellë shkencor dhe institucional, edhe pse për disa do të duket pyetje retorike, pasi ata thellë në vete e ndjejnë përgjigjen, por kur duhet bindur të tjerët, vijnë në shprehje komplikimet semantiko-politike, që i kanë trazuar shpirtrat e njerëzve të zakonshëm me shekuj dhe këtë vende vende po e bëjnë akoma.

Si përfundim, ne jemi në një situatë paradoksale dhe dydimensionale, sepse aktualisht po e festojmë ditën e flamurit tonë kombëtar të shtetit përtej kufirit, dhe njëkohësisht këndej kufirit po vazhdojmë t’i respektojmë ligjet dhe institucionet e shtetit me një emër tjetër, si qytetarë të përgjegjshëm që jemi, apo jo?

Gjithsesi vlen thënia ‘shpresa vdes e fundit’, dhe ne akoma shpresojmë që këto dy koncepte një ditë do të bashkëdyzohen pa e kundërshtuar njëri tjetrin, siç ndodh ne Zvicër dhe Belgjikë. Por vallë çka të bëjmë nëse shpresa vdes para nesh, pasi fundja shpresa vdes e fundit, por një ditë megjithatë vdes?!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button