Poezia produkt i botës shpirtërore e jo materiale

Poezia është produkt i botës shpirtërore sepse ka të bëjë me frymëziminin, imagjinatën, intuitën, emocionin (Benedeto Kroçe). Me të drejtë kanë konstatuar estetët dhe kritika letrare, se definicioni i poezisë dhe artit në përgjithësi është ligj shpirtëror e hyjnor, i cili përcaktohet nga frymëzimi, që i dedikohet lumturisë dhe kënaqësisë së vërtetë njerëzore. Lasgush Poradeci thotë se: “Arti është për një pakicë njerëzish, për një elitë të zgjedhur shpirtrash të lartë”. Pra, qëllimi i artit dhe poezisë është kultivimi i shoqërisë dhe njeriut me cilësi të bukura shpirtërore, ky ideal poetik është njerëzor pasi poezia dhe arti në përgjithësi ekzistojnë vetëm për njerëzit e kultivuar, sepse vetëm këta ushqehen jo me idealin e gojës ushqyese, por me idealin e zemrës dhe të mendjes së ndritur artistike.

Fuqia poetike e mirëfilltë është forcë e brendshme shpirtërore dhe nuk ka të bëjë me fuqinë e jashtme, sepse kjo fuqi fizike na mëson të jetuarit, kurse poezia dhe artet na mësojnë të jetësuarit e vlerave shpirtërore. Fuqitë materialiste fizike anojnë kah shkatërrimi i shpirtërores, kurse fuqia shpirtërore poetike anon nga ndërtimi i shpirtërores, sepse poezia ka vlerë në vete, sudomos vlerë të posaçme në ne. Po ta parafytyrojmë “Krojin e fshatit” të Lasgushit, prej ku rrjedh ujë i pastër dhe i freskët, e nëse një person i etur dhe i ndyrë qëndron afër këtij kroi nuk pastrohet dhe pi ujët e tij, a do të mund vallë të bëhet i pastër dhe i freskët shpirtrisht, ky ujë artistik ta ushqen, pastron dhe ta freskon shpirtin, sikurse ajri dhe uji që ushqen dhe freskon lulet. “Shkencëtari e vë re pikën e lotit, analizon me saktësi vëllimin e ujit dhe kripën që përmban. Poeti, artisti e di të fshehtën e këtij loti, e njeh historinë e tij, njeh shkaqet nga të cilat ai u shtërgua të rrjedh nga sytë. Poezia është fuqi e vetme shpirtërore që në vete përmban të gjitha shkencat empirike, metafizike, materiale, shpirtërore; e të gjitha këto asnjëherë nuk i posedon perceptimi njerëzor normal. Poezia ose do të mbetet margaritar, ose do të pluhuroset deri në baltosje.

Dy elementet kryesore të poezisë janë ekstaza dhe dashuria, janë karakteristika të pashmangshme të poetëve të mirëfilltë, sepse këto dy karakteristika tregojnë vlerë, cilësi dhe bukuri artistike e estetike. Gjersa frymëzimi tregon zërin e zemrës, kurse zemrat e atyre poetëve që nuk digjen në dashuri janë artificiale, formale dhe ceremoniale. Lakmia e poetit ndaj pasurisë, pozitës, çmimeve dhe gradave të ndryshme, e largon nga esenca artistike e poetike dhe këta poetë që bien në këtë situatë nuk mund të shijojnë kënaqësinë e artit dhe asnjëherë nuk mund të bëhen poetë. Poezia është margaritare e zemrave të shenjta, e zemra pa përjetime poetike është barrë e rëndë në mbrendinë e gjoksit, e poezia asgjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button