Vrasja e të rinjve, shqiptarët si fajtor kujdestar!

Vrasja e pesëfishtë në afërsi të fshatit Radishan të Shkupit dhe protestat anti-shqiptare që nuk ndalen që nga publikimi i lajmit, kanë rikthyer në kujtesën e të gjithë neve momentet e dhunës nga lufta e dhjetë vjetëve më parë. 

Ajo që ka shënuar momentet pas vrasjes makabre të pesë të rinjve është mendimi dhe diku edhe bindja se autorët medoemos janë shqiptar.  

Urrejtjen e shfaqur  ndaj shqiptarëve analistët e përshkruajnë si pasojë e mostrajtimit të marrëdhënieve ndëretnike nga ana e qeverisë aktuale gjatë  6 viteve të kaluara.

Në vend se para çdo mbledhjeje të qeverisë  prioritet të jetë ruajtja e këtyre raporteve qeveria vepron sikur të gjendemi në Skandinavi, thotë për Portalb analisti Stevo Pendarovski.

‘Gjashtë vite nuk është punuar në këtë drejtim, me asnjë projekt, në asnjë seancë qeveritare për marrëdhëniet ndëretnike. Qeveria kërkon investues nëpër botë, dhe sikur ka humbur ndjenjën e realitetit, sillet sikur ne jemi Suedi apo Norvegji.  E gjithë bota reagoi për vrasjet, dërgoi ngushëllime, ndërsa kryeministrit tonë iu deshën tre ditë për të dalë para opinionit, edhe atë në vend se të apeloj për qetësi nga dy palët, ai tha se vrasësit do të marrin dënimin nga Zoti‘, thotë Pendarovski.

Policia duhet urgjentisht të zbardh ngjarjen, dhe tu jepet fund spekulimeve të cilat çdo ditë paraqiten, porositë Pendarovski. 

Opinionisti Arsim Zekolli vlerëson se akuzimi i shqiptarëve se janë autorë të vrasjes vetëm se dëshmon se në Maqedoni,  maqedonasit dhe shqiptarët akoma nuk po munden të dalin nga ai rreth vicioz në ë cilin janë mbyllur. 

‘Për çdo problem që i tangon akuzojnë njëri-tjetrin. Çdo prind duhet të ndaj dhimbjen me ata që kanë humbur  fëmijët e tyre. Më tragjikja është ajo se, nëse këta vrasës janë në gjendje të vrasin fëmijë në mënyrë aq mizore, mundem vetëm ta paramendoj se çfarë tjetër janë në gjendje të bëjnë. Kur vrasin fëmijë janë në gjendje të bëjnë gjithçka tjetër’ tha Zekolli.

Kumtesën e lëshuar nga organizata fantome AÇTOSH, Zekolli e quan bizare.

‘Është pjesë e folklorit ballkanik, kjo nuk ka kuptim sepse qeveria e Kosovës është e zgjedhur nga shqiptarët dhe është mbrojtëse legjitime e shqiptarëve të Kosovës, pjesë e qeverisë së Maqedonisë është  BDI, pra parti shqiptare, dhe parashtrohet pyetja prej kujt dëshirojnë këta njerëz ti mbrojnë shqiptarët’, pyet opinionisti Arsim Zekolli.

Ismet Ramadani, ish-deputet i dhe aktualisht numri dy i këshillit veriatlantik  të Maqedonisë vlerëson se  situata e krijuar është rezultat e një politike e cila një kohë të gjatë po ndërtohet me platformë dhe konstrukcion anti-shqiptar në Maqedoni dhe e cila ka krijuar ambient politik te tensionuar.


‘Kjo politikë drejtpërdrejt i inkurajon grupet dhe individët të cilët manifestojnë dhunë dhe vrasje, dhe  qëllimi është destabilizimi i Maqedonisë dhe i rajonit,  për qëllime të cilat fundin e kanë qe shqiptarët  ta pësojnë më shumë dhe kinse të realizojnë, projektet e tyre anti- shqiptare’ thotë Ramadani.

Një ditë më parë njohësi i mirë i çështjeve ballkanike Koço Danaj akuzoi drejtpërdrejt Serbinë dhe Greqinë se po realizojnë një skenar mirë të organizuar ndaj shqiptarëve.

‘Nuk është rastësi, nuk është hakmarrje. Është skenar, i mirë organizuar, është i njëjtë me skenarin e Vreshtave të  Reshtakut të para 10 vjetëve ku u vranë ne mënyre makabre disa emigrante pakistaneze dhe ju la ne vendin e krimit disa uniforma te UÇK. Është skenar qe e ka qendrën ne Beograd apo Athine dhe degëzimin ne Shkup. Një takim i te gjitha partive politike shqiptare do te ishte hapi i pare, duhet djegur skenari’ porositi politikanët shqiptare Koço Danaj.

Deri sa policia është duke punuar në zbardhjen e plotë të vrasjes makabre, në shumë  vende në Maqedoni janë shënuar incidente ndëretnike, ku më shumë kanë pësuar shqiptarët.

 /portal/

Lajme të ngjashme

Back to top button