Kontesti i emrit të Maqedonisë me Greqinë nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e shqiptarëve

Secili qytetar në Republikën e Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, është për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndërtimin e mirëbesimit mes popujve dhe shteteve fqinje të Maqedonisë, ndër ato edhe me Greqinë, e cila pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991), me shpërbërjen e ish federatës jugosllave, e ka kontestuar emrin kushtetues të këtij shteti, në lidhje me të cilin ende zhvillohen negociata në nivel ndërkombëtar (OKB) për këtë çështje, e cila paraqet pengesën kryesore për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, BE dhe NATO.

Shtrohet pyetja: meqë Greqia nuk e konteston ekzistencën e këtij shteti fqinj, por vetëm emrin e tij kushtetues, ndërkohë që këtë emër nuk e ka kontestuar nga viti 1944, me formimin e ish Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të ish Federatës Jugosllave, për shkaqe tanimë të njohura, ekzistimin e një regjioni në Greqi me të njëjtin emër, pse atëherë shqiptarëve u mohohet e drejta për pjesëmarrje në këto bisedime, kur Greqia dhe Maqedonia nuk kanë ekzistuar si shtete kur është përdorur gjerësisht ky emërtim gjeografik i një rajoni në jug të Gadishullit Ilirik, si Emadhia, Maqedhoni, e më vonë Maqedoni, në një periudhë historike në antikë njihet edhe si emër mbretërie, i cili burimin e ka në gjuhën shqipe, jo në gjuhën greke, ose gjuhët sllave?!

Për emrat në gjuhën shqipe të rajoneve dhe krahinave të dominuara nga popullsia shqiptare, ku edhe sot shqiptarët autoktonë përbëjnë shumicë të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të popullsisë së tyre, pa pjesëmarrjen e tyre nuk mund të vendosin popujt e ardhur më vonë si pushtues në këto hapësira!

Në bazë të Marrëveshjes së Bukureshtit (10 gusht 1913), për ndarjen e Maqedonisë, mes Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, sidomos për çështjen e emrit të shtetit të krijuar në territorin e Maqedonisë së sotme (të njohur si Maqedonia e Vardarit) mund të vendosin vetëm popujt që jetojnë në këtë shtet, maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët, jo edhe shtetet fqinje të cilat kanë nënshkruar dhe janë pajtuar për ndarjen, copëtimin dhe pushtimin e pjesëve të Maqedonisë, pjesa e njohur si Maqedonia e Egjeut nën Greqi, dhe pjesa e Maqedonisë së Pirinit, nën Bullgari.

Në kohën e ndarjes së Maqedonisë sipas Marrëveshjes së Bukureshtit, më 1913, sidomos Maqedonia e Vardarit, e cila u pushtua nga Serbia, në territorin e së cilës më 1944 u krijua ish Republika Socialiste e Maqedonisë, ndërsa më 1991 u shpall shteti i pavarur i Maqedonisë, ajo dominohej nga popullsia shqiptare, dhe ky është në fakt historik i pamohueshëm.

Shqiptarët në nivel kombi, jo vetën faktori politik shqiptar në Maqedoni, është dashur me kohë të parashtrojnë notë proteste drejtuar OKB-së dhe institucioneve të tjera, për këtë presedan në të drejtën ndërkombëtare. Me heqjen dorë nga bisedimet për emrin kushtetues të shtetit të Maqedonisë, të cilat zhvillohen në nivel të shteteve mes Maqedonisë dhe Greqisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, shqiptarët heqin dorë nga e drejta historike e tyre mbi këtë territor etnik, ku ata janë autoktonë dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme të popullsisë në këtë shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button