RDK: Ngushëllime familjarëve të viktimave dhe apel për gjakftohtësi

Rilindja Demokratike Kombëtare në kumtesën e lëshuar sot për media mes tjerash kumtoi se vrasësit e pesë qytetarëve të pafajshëm duhet dënuar me një dënim maksimal.

Rilindja Demokratike Kombëtare dhe kryetari i saj Rufi Osmani, shprehin keqardhje për vrasjen e pesë qytetarëve të pafajshëm në afërsi të fshatit Smilkovci të Shkupit, ndërsa familjarëve dhe të afërmve të viktimave, u shpreh ngushëllime të sinqerta.

RDK mes tjerash në kumtesën e saj, “kërkon nga organet e hetuesisë që në afat sa më të shpejtë të zbardhin rastin dhe autorët e këtij krimi makabër të ballafaqohen me organet e drejtësisë dhe tu shqiptohet dënimi maksimal. Njëherit, RDK-ja kërkon nga organet kompetente, institucionet shtetërore, subjektet politike, organizatat qytetare dhe mediat që këtë rast ta trajtojnë si rast kriminal civil, e në asnjë rast si krim të natyrës etnike. Në veçanti, dënon tendencat e disa mjeteve të informimit në Maqedoni, të cilat ende pa u sqaruar asnjë rrethanë lidhur me këtë ngjarje të rëndë, po e keqpërdorin atë për t’i sulmuar shqiptarët dhe për të nxitur konfliktet ndëretnike, si dhe fton qytetarët, posaçërisht të rajonit ku ndodhi vrasja e shëmtuar, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe fetare, ta ruajnë gjakftohtësinë dhe mos hedhin “vaj në zjarr” në këto momente të vështira.

RDK kërkon nga Ministria e Punëve te Brendshme të garantojë sigurinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendbanimeve për rreth fshatit ku ka ndodhur krimi, sepse këta qytetarë nuk kanë faj për krimin e ndodhur. 

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kapacitet të menaxhojë me sukses me rendin publik dhe sigurinë e jetës dhe pasurisë së qytetarëve, fakt ky që argumentohet me vrasje, incidente dhe akte të shumta antiligjore në vazhdimësi. /portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button