Këto janë tre prioritetet e kryetarit të ri të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili
Kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, prej më 3 nëntor edhe zyrtarisht ka filluar me punë në krye të kësaj komune, njofton Portalb.mk.
Ai në një deklaratë për Portalb.mk, thotë se ka mbajtur mbledhje tërë stafin e komunës, ndërkaq në periudhën në vazhdim pritet që të ketë edhe sistemin përkatës të të punësuarve në komunë në lëmitë për të cilët ata janë të përgatitur.
“Zyrtarisht mandatin e kam marrë më 3 nëntor, kam mbajtur mbledhje me të punësuarit në komunë. Dalë-ngadalë po njoftohem me rrethanat në komunë, shoh se ka shumë të punësuar që nuk e punojnë punën e tyre, nuk do të largojmë asnjë nga puna, por vetëm do t’i sistemojmë në vendet përkatëse për të qenë më efektiv”, thotë Xhemaili.
Tre punët prioritare me të cilat e fillon mandatin Xhemaili janë:
- Rregullimi i ujësjellësit në tërë territorin e Komunës së Bogovinës;
- Kemi siguruar donacion nga një investitor nga Norvegjia, do të ketë një intervenim në shkollën fillore në Kallnik ku do të rregullohet problemi me radiatorët dhe ngrohjen qendrore.
- Do të punojmë për ngritjen e nivelit të shkollave, gjegjësisht do të bëjmë depolitizim, por edhe trajnim të stafit.
Ndryshe, Xhemaili u bë kryetar i komunës nga rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën më 29 tetor të këtij viti. Ai gjithsej mori 6.430 vota – 53.70%, apo mbi 1.000 vota më shumë se kundërkandidati i tij nga BDI, Berzah Bejtullahu.
Këshilli i Komunës së Bogovinës është i përbërë nga: 7 këshilltarë nga BDI, 5 nga Aleanca për Shqiptarët, 5 nga Lëvizja BESA dhe 2 këshilltarë nga PDSH.