Albright: E lumtur për atë që bëra në Kosovë

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, e lindur më 15 maj 1937 në Pragë si Marie Jana Korbel, sekretare e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë në historinë e SHBA-ve në këtë pozitë, këtë javë botoi librin “Dimri i Pragës: rrëfim personal për kujtimet rreth luftës në vitet 1937 – 1948”. Ndër të tjera, ajo në libër shkruan se për të afërmit që pësuan në Holokaust dhe për faktin se në rini nuk ka ditur për prejardhjen e saj hebreje, si dhe për peshën morale të vendimeve me të cilat familja e saj dhe ajo ishin përballur gjatë jetës, duke përfshirë ato që lidhen me Kosovën .

Për të shmangur ndjekjen dhe për t’u mbrojtur nga persekutimi, prindërit e Madeleine Albright kaluan në besimin katolik, në të cilin besim ajo u edukua dhe arsimua. Ajo pohon se për prejardhjen e saj hebreje ka kuptuar vetëm kur ajo u rrit, ndonëse ky është një detaj i biografisë së saj të cilin shumë nuk e besojnë. Ish sekretarja amerikane e Shtetit, megjithatë këmbëngul se kjo ishte vërtetë ashtu dhe kur u pyet nga gazetarët e “Haftington Post” se si një situatë e tillë është reflektuar në ndjenjën e saj të identitetit, dhe nëse mendon se në këtë drejtim diçka i mungon, ajo ka thënë:

“Unë jam shumë krenare për prejardhjen time çekosllovake, por identitetin tim do ta përshkruaja kështu: Unë jam një amerikane, nëna ,gjyshja, vij nga kultura hebreje, unë isha një katolike, tash i takoj besimit episkopat, jam e përkushtuar për të drejtat e njeriut, i besoj bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha këto gjëra në një farë mënyre thellësisht kanë ndikuar në mua”.

Në kohën e lindjes së saj, babai i Maries së vogël ishte një diplomat çekosllovak në Beograd, i cili ishte i detyruar për ta lënë në vitin 1939. Vitet e luftës familja i kaloi në Londër, kurse pas luftës babai i saj, si diplomat u kthye në Jugosllavinë e atëhershme, këtë herë me gjithë familjen, në këtë mënyrë Maria kaloi një kohë në Beograd.

Pasi kishte frikë nga indoktrinomi komunist i ati nuk e dërgoi në shkollat tona publike, por e arsimuan kujdestaret, kurse më vonë e dërgoi në konviktin e vajzave në Gjenevë. Atëherë edhe e ndryshoi zyrtarisht emrin në Madeleine, versioni frëngjisht i nofkës çeke Madlenka , të cilin ia kishte vënë gjyshja e saj. Babai i saj, i njohur si anti-komunist, në vitin 1948 u tërhoq nga pozita në Beograd dhe të njëjtin vit familja emigroi në Shtetet e Bashkuara.

Pasi u martua me Joseph Albright, 1959, Madeleine Albright kaloi në Kishën Episkopale, së cilës edhe sot i takon. Vetëm pasi u rrit e mësoi të vërtetën se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Holokaust i ka humbur shumë të afërm, duke përfshirë tre gjyshër dhe gjyshe të saj.

E pyetur për peshën morale dhe saktësinë e vendimeve që ka marrë, Madeleine Albright në një intervistë për ” Hafinigton Post ” thotë: “Mendoj se vendimet që mora kanë qenë të mira. Kurse shumë vendime i kanë marrë të tjerët për mua. A ka diçka për të cilën ndjej keqardhje? Më vjen keq që nuk kemi ndërhyrë më shpejt në Jugosllavi. Mendoj se jam e lumtur për atë që ne e bëmë në Kosovë. Ishte e vështirë të vendosim, nëse për të parandaluar spastrimin etnik duhej angazhuar forcat ajrore, të cilat do të vrasin edhe të pafajshëm. A ishte në rregull të sakrifikoje jetën e një personi për të shpëtuar një jetë tjetër? Këto vendime ishin të vështira për mua. “
“Gjatë luftës në Kosovë, çdo ditë kam mbajtur konferenca telefonike me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Në lidhje telefonike ishim: ministri britanik, francez, italian ai gjerman dhe unë. ‘Pse nuk e bëjnë një pauzë në bombardimet për Pashkë?’, pyeti ministri italian i Punëve të Jashtme, kurse ministri gjerman tha: ‘ Pse do të bënim pauzë për nder të një feje, derisa vrasin njerëz të një besimi tjetër? ‘. Mendoj se ishte një nga deklaratat më domethënëse në kuptimin e identitetit të përbashkët dhe rëndësisë së marrjes së vendimit moralisht të drejtë”, tha në fund të intervistës ish-sekretarja amerikan e Shtetit Madeleine Albright. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button