UNHCR: Pesë mijë muslimanë të Arakanit të bllokuar në kufi

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për Refugjatë pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Duniya Aslam Khan, ka njoftuar se rreth pesë mijë muslimanë të Arakanit që përpiqen të ikin nga dhuna në Mianmar kanë ngelur të bllokuar në kufirin me Bangladeshin, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja Khan, për AA tha se numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladeshin fqinj që nga 25 gushti ka arritur në 605 mijë.

“Jemi njoftuar se rreth pesë mijë muslimanë të Arakanit kanë ngelur të bllokuar në anën e Mianmarit të kufirit me Bangladeshin”, tha Khan, duke theksuar se ditëve të fundit është shënuar rënie në numrin e refugjatëve që vijnë në kampet në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Khan vuri në dukje se refugjatët e kanë të pamundur të kalojnë lumin për në Bangladesh, për arsye se nuk mund të gjejnë barka për transportimin e tyre.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), Joel Millman, në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë, bëri të ditur se numri i muslimanëve të Arakanit në kampet e Bangladeshit ka arritur në gjithsej 817 mijë së bashku me refugjatët e ikur para shpërthimit të dhunës më 25 gusht.

Millman po ashtu tha se IOM ka ndihmuar me pajisje rreth 395 mijë familje për të ndërtuar strehimoret e tyre.

Po ashtu, edhe zëdhënësja e Programit Botëror të Ushqimit pranë OKB-së (WFP), Bettina Luscher, tha se WFP-së i është dhënë dritë jeshile për rifillimin e operacioneve me ndihma ushqimore në veri të Arakanit.

“Po punojmë me qeverinë e Mianmarit për t’i koordinuar detajet”, tha ajo, duke shtuar se ende nuk kanë caktuar datë për fillimin e këtyre ndihmave për pakicën muslimane në rajon dhe se detajet do të shpalosen pas bisedimeve me qeverinë e Mianmarit.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Muslimanët e Arakanit ikin në Bangladesh për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button