Do të bëhesh doktor për t’i shëruar shqiptarët

Para ca viteve, lexova veprën “Udhëtim drejt Europës, nga fillim shekulli 20, deri në fund shekullit 20”, nga shkrimtari holandez dhe korrespondent i gazetës Washington Post, Geert Mak. Shkrimtari i ra kryq dhe rrotull tërë kontinentit europian.

Prologu dhe ngjarjet kanë vazhduar në tre hallka që janë tre autorë të librit. Vepra fillon nga një panair në Paris më 1900 dhe mbaron me luftën e Kosovës. Në fillim të shekullit 20, një ndër autorët e këtij libri, përshkruan ekspeditën dhe udhëtimin drejt Ballkanit. Sipas autorit shumica e shqiptarëve dhe sllavëve banonin nëpër viset dhe provincat  rurale kurse zonat urbane ishin të banuara me qytetarë. Me pushtimin e Perandorisë Osmane shqiptarët ishin konvertuar dhe pranuar fenë islame. Një pjesë ishin punësuar në administratë si nënpunës ku si gjuhë zyrtare kishin turqishten dhe pjesa tjetër merreshin me artizanate dhe zeje. Kjo ishte klasa e mesme dhe elita e popullit shqiptar. Autori më tej vazhdon, shqiptarët në sundimin dhe qeverisjen e Perandorisë Osmane ndërtuan qytete, kulla, hamame, teqe dhe xhami. Ata ruajtën identitetin, gjuhën, doket, traditën, nuk u asimiluan por trashëguan një pjesë të kulturës dhe qytetërimit osman. Para disa kohësh lindi ideja dhe inspirimi nga disa individë në Prishtinë për ngritjen e një memoriali kushtuar viktimave të qytetarëve të vjetër prishtinas dhe mbarë Kosovës. Nga disa qarqe individë dhe akademikë, nëpër mjetet e informimit masmediave filluan sulmet, neverija, urrejtja dhe fobia ndaj qytetarëve të vjetër të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore.

Këta zotërinj kanë të drejtë të shprehin  mendime, idetë dhe bindjet e tyre. Por ata dolën me tezën se qytetarët e vjetër nuk janë integruar në shoqërinë shqiptare, përkundrazi  jetojnë të getoizuar. Nuk kanë marrë pjesë dhe kontribuar ҫështjes si kauzë kombëtare. Më shumë kanë bashkëpunuar dhe komunikuar me fqinjët serb dhe maqedonas. Ҫdo herë kanë qenë dorë e djathtë e armiqve, kolabracionit mercenar. Kjo propagandë dhe konspiracion u importua dhe në Maqedoninë Perëndimore. Në Tetovë në fund mori kahjen e një peticioni por nuk gjeti përkrahje nga qytetarët. Iniciativa e tyre ishte  një tablo, për të verifikuar origjinën, identitetin e një pjese simbolike të qytetarëve të vjetër, të cilët ende e flasin gjuhën turke,  se a janë shqiptarë dhe sa janë të tillë. Këta zotërinj ngelën të pandryshuar, nuk kanë qasje liberale dhe moderniste. Ata e shohin nocionin komb, me doktrinë staliniste dhe utopi enveriste me relikt puro komunist dhe konotacione  nacionaliste dhe albanocentriste. Një popull , një gjuhë, një zë dhe një dorë e hekurt. Qytetarët  e vjetër  autoktonë janë me origjinë shqiptare. Ata marrin pjesë në të gjitha subjektet politike, administrative, institucione arsimore paralele në gjithë fushat. Dekadat e fundit, ndarjet etnografike, dialektore, divergjencat katundar – sheherli janë duke u eleminuar dhe zbehur.

Faktori kryesor është ardhja dhe shpërngulja e popullatës në vendbanime urbane, si dhe martesat e përziera. Shoqëria  homogjene ka eleminuar stereotipet e vjetra dhe antagonizmat mes fshatarëve dhe qytetarëve. Tani le të bëjmë pyetje, se për cilët qytetarë e kanë fjalën se kanë mbetur të getoizuar, nuk janë integruar në shoqëri shqiptare dhe  kanë më shumë identitet anadollak se shqiptar?. Pra po ju pyes dhe njëherë, juve zotërinj, e keni fjalën për qytetarët e komunitetit turk, që me ardhjen e Perandorisë Osmane në trojet shqiptare ata sollën administratorë, ushtarakë, nënpunës dhe familjet e tyre nga Anadolli?.

Në këtë kontekst, dhe unë jam me ju, dhe kam të njëjtin mendim. Mos vallë e keni fjalën për qytetarët e vjetër shqiptarë, fisnikët dhe esnafët!. Shqiptarët pesë shekuj me radhë nën sundimin e Perandorisë Osmane përveҫ konvertimit në islam, kanë përdorur turqishten gjuhë zyrtare ku një pjesë simbolike mbetën shqiptarë, një pjesë janë turkofolës. Si shumë popuj indogjen dhe afrikan, që ishin nën kolonializimin europian që atëherë e deri më  sot  një pjesë e flasin gjuhën spanjolle, angleze dhe franceze. Këta zotërinj sikur harrojnë ose shtiren, se populli shqiptar si gjithë popujt ballkanas ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane!. Ata, historinë e Ballkanit e kanë mësuar me luftën ilire-romake, sundimin romako bizantin, nëpërmjet  rilindasve dhe në fund lëvizjes kombëtare. Sipas tyre pesë shekuj shqiptarët paskan jetuar në ndonjë planet tjetër, e jo në sundimin e Perandorisë Osmane!. Për këto zotërinj, siҫ shkruan autori në fillim të pasazhit, qytetet, qarshitë e vjetra, rrugët me kalldrëme, hamamet, teqetë, xhamitë e bukura nuk janë pjesë e trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar, por ato janë pjesë e identitetit osman dhe anadollak. Sipas tyre këta objekte të vjetra arkitekturore i kanë ndërtuar armiqtë si okupatorë me dhunë, siҫ na e imponuan dhe na konvertuan me dhunë dhe me shpatë në fenë islame. Qytetarët e vjetër kanë qenë gjithmonë simbol i rezistencës dhe kauzës kombëtare. Në Lidhjen e Prizrenit dhe në Kongresin e Manastirit shumica nga krerët kanë qenë qytetarë të vjetër shqiptarë. Në Luftërat Ballkanike, nën mbretërinë jugosllave rezistuan duke mbrojtur çështjen shqiptare. Pas Luftës së Dytë botërore shumica si ultranacionalistë dhe antikomunistë u burgosën, persekutuan, dhe një pjesë u shpërngulën në Turqi. Nga familjet e vjetra qytetare ishte dhe doctor Isuf Rexhepi. I ati kur e dërgoi në Vjenë për të vazhduar studimet, i tha se do të bëhesh mjek për ti shëruar shqiptarët. Pas Luftës së Dytë botërore, gjinekologia e parë shqiptare ishte nga një familje e vjetër qytetare. E ëma e saj nuk dinte dy fjalë shqip, por i kishte thënë të bijës, do të bëhesh gjinekologe, që mos të na i mbytin foshnjat e porsalindura shqiptare, shovinistët dhe nacionalistët serb dhe maqedonas.

Nga familjet e vjetra qytetare ka pasur figura dhe personalitete në gjithë trojet shqiptare. Ishte familja Beralla, familja Polloshi, kurse nga Tetova një ndër figurat dhe personalitetet ishte  i ndjeri Arbër Xhaferri. Academia e Arteve dhe e Shkencave në Tiranë pas Nënë Terezës dhe Ismail Kadaresë e shpalli një ndër figurat më të shquara dhe spikatura kombëtare. Arbër Xhaferri , ky kolos dhe ideolog rridhte nga familjet fisnike më të vjetra qytetare shqiptare. Këta zotërinj thonë se në demostratat e vitit 1968 në Prishtinë, qytetarët e vjetër nuk e përkrahën por qëndruan indiferent dhe nuk morën pjesë. Nuk rezistuan dhe demostruan për kauzën dhe ҫështjen e flamurit. Në vjeshtë të vitit 1968 pas Prishtinës, demostratat shpërthyen dhe në Tetovë. Shumë protagonistë dhe organizatorë ishin nga klasa intelektuale dhe qytetare. Një ndër organizatorët ishte dhe Mehmet Riza Gega. Unë si nxënës i shkollës fillore ’Iliria’ në Tetovë, mbaj mend mungesën e dy arsimtarëve në mësimdhënie. Më vonë morëm vesh gjithë nxënësit e klasës, se ishin burgosur drejtori i shkollës Abdulla Kalishta dhe dy arsimtarët e paraleles tonë. Këta ishin nga familjet fisnike qytetare që u persekutuan dhe u dergjën nëpër burgjet famëkeqe jugosllave për idealet, aspiratat dhe kauzën e kombit shqiptar.

“Klasa qytetare dhe aristokrate, e ka shkruar historinë e popujve”

Deri në fillim të viteve 60, popullata shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore, mbi 80% banonin në zona rurale, kurse pjesa tjetër qytetare banonin në zona urbane. Ata merreshin me artizanat, punonin në administratë, dhe nëpër kombinate. Filozofi dhe dijetari bashkëkohor  gjerman Emanuel Schtuph, shkruan se klasa qytetare dhe aristokrate e ka shkruar historinë e popujve. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane tek shqiptarët klasa e mesme dhe aristokrate, qytetarët e vjetër, esnafët dhe fisnikët ishin të përndjekur. Armiku gjuante në kokë e jo në bisht. Atyre iu morën pronat, tokat, dyqanet, i burgosën,  vranë, dhe në fund një pjesë me dhunë u shpërngulën me  familjet e tyre dhe u vendosën në Turqi. Gjysma e kombit  ishin të ndarë nga shteti amë, në fund pësuan edhe një plagë dhe mortajë, mbetën pa klasë të mesme qytetare dhe aristokrate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button