Pse lotaria dhe jo Shqipëria?

Në ditët e fundit, një teatër i shëmtuar po shfaqet në të gjithë mediat e po shihet me vëmendje nga i madh e i vogël. Teatri po tregon sfidën e parë të reformës në drejtësi e po vërteton se sa hibrid është shteti shqiptar dhe demokracia e tij.

Nuk qëndron problemi të një zyrtar i korruptuar e te një ministër që akuzohet si bashkëpunëtor me krimin, se të tillë ka pasur e do ketë gjithmonë, por problemi i vërtetë është shembulli që po jepet dhe se si po degjenerohet aq shumë koncepti i shtetit në Shqipëri, koncepti dhe pritshmëria për të ardhmen e saj.

Pasi sheh disa orë mbledhjet e grupeve të kuvendit që u ngjajnë gjyqeve famëkeqe të kohës së shkuar, aq më shumë të shtohet dëshira që në një mënyrë ose një tjetër të zhdukesh nga ky vend e të shpëtosh nga teatro të tilla.
Problemi nuk është imuniteti i Tahirit, po ekzistenca e imunitetit për parlamentarët tanë.
Problem nuk është kalimi i kompetencave të deputetëve të Këshillit të Mandateve, por trajtimi i prokurorëve si leckë.

Problem nuk është Banda e Habilajve, por pasqyrimi që i bëhet asaj në media. Problem nuk është krimi e narkotikët, por militantë e individë, që zgjedhin më mirë një vend të padrejtë nga i cili të largohen sesa një politikan të hetohet e të kaloj sikur dhe disa orë në burg.

Në vazhdën e vuajtjeve të përditshme të shqiptarëve, taksat po ngrihen, ushqimet po shtrenjtohen, tregtia po bie, investitorët po ja mbathin, mijëra fëmijë e familje vazhdojnë të uritur, por jo, asgjë nuk ja kalon një shfaqjeje tragji-komike që po transmetohet 24 orë pa pushim. Çudia këtë rradhë duket se e kaloi cakun e 3 ditëve e do vazhdoj dhe për 3 të tjera.

Kudo flitet për Saimir Tahirin si individ, e jo për të si fenomen. Nuk dihet a është fajtor a viktimë, e ndoshta nuk do merret vesh kurrë, por është frustruese të rritesh e të kërkosh të shohësh dritën në fund të tunelit, kur mendjet tona, të një populli të tërë bien akoma pre e propagandës dhe inskenimeve aq madhështore sa që as trupa e aktorëve profesionist të Teatrit Kombëtar, nuk do mund ta sillte në skenë kaq madhërishëm.

Tahiri mbetet kryefjalë, ndërkohë që aplikimet për lotarinë amerikane vazhdojnë. Të gjithë drejtohen drejt Amerikës e kur vjen puna për prekjen e idhujve e shembjen e kulteve të individëve, Amerika kthehet në armik, e armiku në bashkëvuajtës.

Ne e kemi shumë të vështirë t’i shpëtojmë kulteve të tilla, duket sikur janë të rrënjosur në ADN tonë. Nga Sulltani te Diktatori e tani te Kryeministrat, Presidentët e Ministrat.

Ndoshta si rrënjosja e këtyre figurave, është rrënjosur dhe imazhi i Shteteve të Bashkuara si rruga e vetme e shpëtimit.

Shqipëria nuk bëhet se jemi të vendosur për të ndërtuar shtete të tjera, për të qenë skllevër të së shkuarës sonë.
Shqipëria nuk bëhet se shqiptarizmi ka vdekur, nëse ka ekzistuar ndonjëherë.
Shqipëria nuk bëhet se mesa duket nuk ka më shqiptar.

Jemi të gatshëm të kërrusemi e të gjunjëzohemi para punëve të vështira, të futemi në kamionë e kampe refugjatësh e të përfundojmë dhe në burgje apo banesa sociale, vetëm për të shpëtuar nga ky ferri që vet kemi krijuar.

Siç është kulti amerikan, ashtu është dhe kulti Tahiresk dhe njëlloj ndodh dhe me kultin Shqiptar e të Shqipërisë që nuk bëhet.

Unë aplikova si shumë prej jush, për herë të parë e duke shpresuar që do jetë hera e vetme dhe e fundit, por derisa të dalin rezultatet, mbyllni televizorin e dilni nga Facebooku, shembni kultet qe keni në mendjet tuaja, pastroni sytë e veshët nga zhurma e shtetit si koncept abstrakt që duhet ndërtuar nga politika, e përveshni mëngët për të bërë shtetin me duart tuaja, me veprime të vogla e vizione të mëdha.

Mediokriteti mund të vazhdojë ta trumbetojë shtetin si parim politik, por njerzillëku dhe qenia juaj si individ duhet të lirohet nga konceptet e së shkuarës që vazhdojnë të burgosin mendjet e brezave me rradhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button