Blegtorët sërish në protesta

Blegtorët e Brezës, Tanushës dhe Malinës protestuan përpara agjencisë pagesore në Shkup me ç’rast kërkuan që shteti të bëjë revizionin ku dhe kujt i japin para shtetërore nga subvencionet. Ata hodhën poshtë pretendimet e  Ministrisë së bujqësisë dhe të  agjencisë së pagesave se gjoja kanë regjistruar më tepër bagëti me qëllim të përftimit të më shumë subvencioneve.

“Le të vijnë policia financiare, gazetarët, drejtorët në Bërnjarc dhe ti shohin dhentë, lopët krejt me argument e jo vetëm të dalin në TV dhe të thonë se nuk I ka. Jo zotëri nuk  I kemi marr dhe korrupsioni le të zihet se ashtu shtetin e humbin ato njerëz duke bërë korrupsion, rrena e send. Ne kërkojmë e drejta të dale në dritë”, u shpreh Sulejman Osmani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Malinës.

Për ti qetësuar fermerët, drejtuesit e  agjencisë së pagesave i ftuan për bisedë, por me ta nuk bisedoi drejtori Toni Dimovski, por dikush nga të punësuarit e tij i cili i këshilloi bujqit që drejtësinë ta kërkoj në gjykatë. Fermerët të revoltuar thonë se të hënën do të dalin në protestë dhe do të kërkojnë pritje në ambasadën amerikane në Shkup ku do të ankohen nga trajtimi i shtetit. Probleme të mundshme me subvencionet, por në pjesën e duhanit, për rendimentin e ardhshëm, paralajmërojnë edhe nga federata e fermerëve. 

“Ne flasim se me fillimin e lidhjes së kontratave, një grup i madh i njerëzve do të mbeten pa mundësi që ta realizojnë të drejtën e lidhjes së kontratave për duhanin e dorëzuar, ndërsa kjo është e lidhur me mundësinë që të realizojnë subvencione. Pra nuk është aq i thjeshtë ky problem”, tha Andreja Sekullovski, kryetar i federatës së fermerëve.

Federata e fermerëve javën e ardhshme do të mbajë një tribunë në Prilep, e pastaj qëndrimin e përbashkët do t’ia dorëzojë qeverisë për ndryshimin e ligjeve. Ndërkaq, edhe fermerët nga Tetova sot i dërguan mesazh qeverisë se nëse deri më datën 15 të këtij muaji nuk i paguhen mjetet për subvencione të vitit 2011, do të protestojnë përpara ministrisë së bujqësisë. 
(Alsat-m)

Lajme të ngjashme

Back to top button