Vjen reagimi i parë nga BE-ja për ngjarjet në Kataloni

Ka ardhur reagimi i parë nga Bashkimi Evropian për ngjarjet e sotme në Kataloni, ku po zhvillohet një referendum i kontensuar për pavarësi ose jo të rajonit nga Spanja.
Politikani belg, Guy Verhofstadt, udhëheqës i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, dhe anëtar i Parlamentit Evropian që nga viti 2009, ka thënë se për BE’në është e papranueshme dhuna e shënuar sot në Kataloni.

Rreth 500 katalonas janë lënduar sot gjatë përplasjeve me policinë spanjolle, që ka bërë përpjekje maksimale për të penguar zhvillimin e referendumit.

“Nuk dua të përzihem në çështjet e brendshme të Spanjës, por e dënoj fuqishëm atë që ka ndodhur sot në Kataloni”, ka thënë ai.

“Në njërën anë, partitë separatiste ndoqën planet e tyre për të ashtuquajturin referendum, që u ndalua nga Gjykata Kushtetuese, duke e ditur mjaft mirë se vetëm një numër i vogël i njerëzve do të merrte pjesë, pasi që 60 për qind e katalanëve janë kundër ndarjes”, është shprehur Verhofstadt.

“Dhe, në anën tjetër – pavarësisht se gjykata urdhëroi ndalimin e referendumit – u përdor dhunë e paarsyeshme për të ndalur atë”, ka thënë politikani belg.

“Në Bashkimin Evropian, ne përpiqemi të gjejmë zgjidhje nëpërmjet dialogut politik, dhe duke respektuar rendin kushtetues, siç parashihet në Traktate, veçanërisht në nenin 4”, ka theksuar Verhofstadt.

“Ka ardhur koha për zbutje të tensioneve. Duhet një zgjidhje e negociuar, për të cilën angazhohen të gjitha partitë politike (përfshirë opozitën në Parlamentin e Katalonisë), dhe e cila është në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të vendit”, është shprehur eurodeputeti belg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button