Katalonja e pavarur, avantazhet dhe disavantazhet ekonomike
Prej vitesh Katalonja kërkon me ngulm pavarësinë nga Spanja, duke u ndeshur me kundërshtitë e ashpra të autoriteteve qendrore. Problemet ekonomike që do t’i shkaktonte një gjë e tillë Spanjës, do të ishin të mëdha, por edhe vetë rajoni nuk do ta kishte të lehtë në këtë aspekt, transmeton Top Channel.
Si një prej rajoneve më të pasura, në Katalonjë realizohet një e pesta e rendimentit ekonomik të të gjithë vendit. E ndërsa disa sipërmarrës shohin vetëm avantazhe ekonomike nga shkëputja, duke menduar se Katalonja e pavarur do të ishte po aq e fortë sa Austria dhe Danimarka, ka të tjerë që e shohin me shqetësim këtë mundësi.
Sipas tyre nëse Katalonja shkëputet nga Spanja, ajo do të shkëputet edhe nga Europa, duke humbur kështu një sërë avantazhesh dhe detyrimesh, për një tregti pa ndërlikime me pjesën tjetër të Europës.
Një biznesmen i cituar nga ‘Deutche velle’ thotë se pavarësia do të nënkuptonte rivendosjen e barrierave doganore dhe kësisoj shtrenjtimin e eksporteve dhe importeve. Kjo sipas tij do të ulte aftësinë e konkurencës së sipërmarrësve katalanas në krahasim me partnerët e tyre jashtë vendit.
Qeveria spanjolle mendon se ekonomia në Katalonjë mund të bjerë me 25 deri në 30 përqind dhe se papunësia do të dyfishohet. Për t’u bërë sërish pjesë e BE-së, Katalonja duhet të nise nga fillimi procesin e antarësimit, ndoshta një rrugë e vështirë e plot pengesa kjo.
Sepse Katalonja mund të bëhet anëtare e BE-së, nëse këtë e miratojnë të gjitha shtetet anëtare, e në radhë të parë do të jetë Spanja ajo që do të vendosë veton kundër.