MALSORI ME ZEMËR TË ҪELIKTË

Në fshatrat e Malsisë së Sharrit ishin dy tregtarë të njohur në tërë pazaret e Maqedonisë  Perëndimore dhe Kosovë. Ishte Hebib Saleu dhe i dyti me të njëjtin emër,  Hebib por me nofkën Bibai i Veshallës. Babai im i ndjerë Hebib Jakupi, kur e pyesnin se me se merrej, ai kishte  një sens humori,  thoshte se tregtoj me gjithë kafshët kuaj, lopë, dele, vetëm me derra jo. Kur i ҫalonin kuajt nëpër pazare thoshte  më ka lindë nëna, nën pelë kam thithur qumësht pele. Si i ri unë isha pinjolli i tij, duke i ndihmuar nëpër pazare. Pas vdekjes së të atit, unë vazhdova  duke punuar në tregti nëpër pazare Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe më gjerë. Kisha bërë shumë miq dhe shokë. Ajo që më bënte përshtypje ishte kur më pyesnin se nga jeni?

Unë përgjigjesha nga Tetova, i ardhur nga katundet e Malsisë së Sharrit. Cilit katund? Katundi Veshallë.   Menjëherë vëreja  një lloj  afrimiteti  dhe respecti. Po ti ҫun qenke nga katundi i Tahir pelivanit ose i Ramadan pelivanit. Ҫdo herë duke u prezantuar prejardhjen  dhe identitetin tim vëreja që fshati Veshallë njihej dhe identifikohej si fshat që kishte  pasur pelivana të famshëm në Malsinë e Sharrit. Këta dy luanë dhe viganë kishin lindur nga i njëjti fshat  Veshallë. Ramadan Veshalla kishte lindur kur paraardhësi  i tij Tahir Veshalla kishte arritur famën. Këta dy shpirtra u ngjanin gladiatorëve romak dhe heronjve që ktheheshin nga fushëbetejat si triumfues.  Ishin rritur mes bjeshkëve dhe maleve të larta e plot pllaja nën natyrën me harmoni perfekte dhe ajër të freskët. Ata kishin fuqi impersonale dhunti forcë për tu ngjitur në majë.

Dy  gjigantë të lindur, të spikatur, nëpër arena ku  bukurija e tyre shndërrohej në art. Ramadan Veshalla me një trup gjigant dhe shpatulla prej graniti kishte thithur gji deri 7 vjeҫ. Si bari 14 vjeҫar  kishte zbritur nga bjeshka për herë e parë në një dasëm dhe ishte ngjitur sërish.  Viteve 60, në një dasëm të madhe në Malsinë e Sharrit, kishte ardhur një pelivan i famshëm për tu ndeshur me Ramadan Veshallën. Drejtuesi i dasmës sipas traditës, me turmën që i shkonin pas nën oshëtimën e daulleve dhe melosin melankolik të surleve kishin dalë për të pritur të ftuarit. Në krye të karvanit ishte hipur në kalë të bardhë pelivani. Kali i tij me patkonj gërmonte tokën, pluhuri dhe ajri përzihej dhe lëshonte një aromë. Nga dhëmbët nxirrte shkrumb dhe zjarr. Në hyrje të fshatit ai zbriti nga kali. Me një shtat të pashëm,  veshur me qystep, i lyer me vaj ulliri i shkëlqente trupi si kristal. Në qafë kishte të varur një hajmali dhe një vath në vesh. Duke bërë  spektakël lëshoi një piskamë.

Kam ardhur nga lart për tu ndesh  në dyluftim  me malsorin me dy zemra. Fama e këtij pelivani kishte arritur deri në Azinë e vogël dhe Ballkan. Në fund kishte ardhur dhe ishte ngjitur në këto male të larta si bajlozi i zi që doli nga deti i Gjergj Elez Alisë. Pasi kishte mbaruar darka sipas traditës dhe mikpritjes së këtyre trevave të Malsisë, miqve duhej bërë nder. Vëllai dhe ai hynë në dhomë, i përshëndetën miqtë  që kishin ardhur në dasëm. Ata u takuan kokë më kokë dhe ja zgjatën dorën njëri – tjetrit.  Ramadan Veshalla e kishte kaluar me një ankth dhe peshë pritjen e rivalit. Ai tani ishte ҫliruar nga ai pezëm dhe zemërim. Ata vështronin njëri-tjetrin me fytyra të egra dhe gjithë mistere. Në ato ҫaste ky pelivan që kishte ardhur nga deti për tu ndeshur me malsorin me dy zemra, në shpirt ndjen një makth trazim dhe ironi. Me bisht syri duke shikuar, ndjente simptomat e para të një disfate.

Gjatë gjithë kohës asnjëri nuk kishte  folur asnjë fjalë. Në mes pyjeve dhe kodrinave pas ditës nën qiellin e kaltërt dhe diellin që shkëlqente, në një lëndinë të rrumbullakët me perla piktoreske ishin tubuar njerëz, për të përcjellur ndeshjen dhe dyzimin e dy pelivanëve më të famshëm. Gjatë pritjes, ndërkohë flitej se kundërshtari  ishte i rrezikshëm.  Kishte pasur raste tragjike, si therja e boshtit kurrizor ose thyerja e qafës që kishin mbetur të vdekur nëpër arena. Kishte thashethëna në opinion se dyzimi i këtyre pelivanave dukej tragjik por skishte të bënte fare me të vërtetën. Kishte mundësi  që të bënin  marrëveshje dhe në fund të futin paratë në ҫanta. Kishte zëra nga ata që kishin zili. Thoshin i ka ardhë hexheli në fund nga ky xhelat pelivanit tonë. Ja që do humb betejën, por ajo që ishte poshtëruese do të ngel pa qystep në mejdan. Familja dhe vëllezërit e Ramadan pelivanit kishin ngulur këmbë që mos të dalë. Ata kishin dëgjuar se rivali ishte shumë i rrezikshëm.

Por ai kishte thënë, më mirë do të vdes i kryqëzuar si Krishti në këtë mejdan dhe të më hanë sorrat e të mi nxjerrin sytë, se i dorëzuar i turpëruar dhe shpirt i mposhtur. Këtë radhë kishte dalë dhe Qaushi që rrallë dilte veteran i fundit për ta përcjell  ndeshjen e këtyre pelivanave. Qaushi ishte një burrë me shtat të lartë thatanik dhe hijerëndë. Ai fliste për skenat në kryeqytetin ish perandorak të pelivanave që vinin nga  Ballkani dhe Azia.  Rrëfente për një pelivan me origjinë shqiptare ku sovrani kishte marrë pjesë në gara  për ta ndjekur.  Për herë të parë në këto fshatra të Malsisë së Sharrit kishte ardhur një gazetar dhe kameraman nga kryeqyteti i ish Jugosllavisë Beogradi për të ndjekur pelivanin shqiptar që ishte bërë miti legjenda  dhe ikona e gjithë kohërave në historinë e këtij sporti.

I pari doli pelivani, lëshoi një britmë duke bërë shou dhe i ra rreth e përҫark arenës , pastaj nikoqiri. Nën oshëtimën e daulleve dhe melosin e surleve të dy filluan të bëjnë levizje rreth e përҫark arenës para mijëra spektatorëve. U përqafuan në ҫastet e fundit dhe u ngjitën. E gjitha kjo ishte parafillimi i një beteje dhe fillimi i dyluftimeve. Këta dy luanë u ngjitën në dyzim si gladiatorët nëpër arenat e Romës. Ndihej ngazëllim emocion eufori në fytyrat  e njerëzve. Të gjithë ishin fokusuar dhe përqendruar  me kokën në drejtim të këtyre gladiatorëve. Nga oshëtima monotone e daulleve  dhe surleve ushtonin malet dhe bjeshkët. Në moment u dëgjuan zhurma dhe britmat nga publiku  ra, ra. Për një ҫast duke u ngritur të gjithë në këmbë nga padurimi dhe emocionet, nga lart u kuptua se ndeshja vazhdonte.

U ngjitën këta luanë si  rrufeja në arenë, të trishtuar në pamje silleshin përҫark si bishat

Gjithë tokën dhe barin me këmbët dhe krahët vigan e përgjakën

Mbi tokë avulli dhe pluhuri në ajër shpërndaheshin, me dorë e rrihnin tokën sikur kuajt me patkonj

Makth dhe tmerr të dëgjosh, herë njëri herë tjetri shtonin piskamën

Të lodhur  e të përgjakur në heshtje do të vdesin, dhe do të ringjallen për të vdekur përsëri.

Kishte kaluar më shumë se një orë  ndeshja vazhdonte. Ata bënë disa hapa dhe ishin ballë për ballë me njëri- tjetrin dhe një ҫast qëndruan të heshtur. Papritur vëllai i Ramadan pelivanit doli nga publiku, me një peshqir në dorë filloi t’ua fshinte djersët të dyve. Ramadan Veshalla vërtitej rrotull. Rivali i tij i shtangur vazhdoi të ndiqte lëvizjet e kundërshtarit. Kokë për kokë ishin ngjitur. Ramadani ishte shtrirë përtokë. Rivali ishte në këmbë dhe do ta shkulte si një lis. Këta luanë dhe gladiatorë, për herë të parë provonin forcat, por nga përvoja e dinin se është vështirë të arrihet fitorja. Sytë e rivalit ishin zbehur, me një zë të ulët që nuk dëgjohej lëshoi britmën oho, hajde Ramadan Veshalla. I lodhur dhe i rraskapitur rënkoi  me vete dhe tha, unë po jap shpirt. Oshëtima e daulleve dhe melosi i surleve vazhdoi me një ritëm të shpejtë. Ramadani i hunguruar me krahët e shpejtë si  rrufeja e shkuli nga toka si ndonjë lis.

E ngriti përpjetë. I hutuar  dhe i ҫakërdisur nuk i trembej qerpiku. Rivali me kokë në tokë dhe me dy  duart i kapur për këmbët e kundërshtarit sytë i qenë tkurrur nga tërbimi dhe trishtimi. Në fund ra në shpinë. Në ato ҫaste duartrokitje, britma, fishkëllima dhe zhurma vinin nga publiku. U ngjit i tmerruar dhe gati i ҫmendur.  Ramadan Veshalla e përshkoi tej e përtej arenën duke përshëndetur gjithë publikun në fund shkoi dhe e përqafoi rivalin. Pas përfundimit Ramadan Veshalla kishte lënë një takim me gazetarin për një intervistë. Në një bahҫe afër një kroi, duke ngrënë mish qingji dhe duke pirë ujë të ftohtë  Sharri, gazetari bëri një intervistë me pelivanin.

Gazetari përshkoi biografinë e pelivanit dasmat dhe traditat e këtyre trimave të Malsisë. Unë erdha në këto male dhe bjeshkë të bukura , për ta përcjell ndeshjen e pelivanave. Në fund gjeta një malsor me zemër të ҫeliktë. Pas një jave gazetari kishte shkruar në një revistë prestigjoze me titullin “Malsori me zemër të ҫeliktë”. Ramadan Veshalla kishte një kulturë dhe respect  ndaj rivalëve të tij gjithmonë. Kishte shkuar për ta përshëndetur. I kishte thënë që keni treguar  një  mjeshtri mahnitëse. Jeni treguar luftarak dhe dinjitoz. Më në fund  ata u përshëndetën. Ai duke u ndarë i tha Ramadanit, kjo ishte disfata ime, e para dhe e fundit.

Ky pelivan që kishte ardhur nga deti, deri tani nuk kishte pësuar asnjë humbje. Në të gjitha ndeshjet kishte dalë triumfues. Humbja për  të ishte fatalizëm dhe tragjedi, goditje e rëndë djallzore. Ai kishte thënë se disfata ime është nderi im. Natën pa u gdhirë kishte ikur pa i lajmëruar shokët dhe miqtë e tij. Nuk dihet se ku kishte shkuar. Disa thoshin se kishte bërë vetvrasje. Pas disa vitesh e kishin parë në një arenë në stepat e Anadollit në Konia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button