Kenia, anulohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale
Gjykata e Lartë në Kenia ka marrë vendim për ripërsëritjen e zgjedhjeve presidenciale të cilat u mbajtën më 8 gusht, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi ka shqyrtuar kërkesën e kandidatit për president nga opozita Raila Odinga, Gjykata e Lartë vendosi që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet ku presidenti Uhuru Kenyatta doli fitues.
Në vendimin e gjykatës ku thuhet se janë regjistruar “parregullsi” në zgjedhje është bërë thirrje që zgjedhjet e reja të mbahen brenda 60 ditëve.
Komisioni i Pavarur i Zgjedhjeve të Kenias kishte njoftuar se presidenti aktual Uhuru Kenyatta ishte rizgjedhur sërish duke marrë 54.27 përqind të votave dhe se kandidati i opozitës Odinga me 44.74 përqind të votave ka humbur në zgjedhje.
Odinga ishte ankuar në Gjykatën e Lartë, me pretendimin se hakerët e kompjuterit kanë manipular zgjedhjet duke ndërhyrë në rezultatin zgjedhor elektronik. Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve opozitarët zhvilluan protesta të shumta në të gjithë vendin.
Komisioni i të drejtave të njeriut në Kenia ka njoftuar se si pasojë e ndërhyrjeve të policisë në protesta kanë humbur jetën 24 persona.