Viti i ri shkollor për shqiptarët fillon me libra skandaloz!
Gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet do të vazhdojnë të jenë prezent edhe gjatë këtij viti të ri shkollor për nxënësit e shkollave fillore.
Mësimdhënësit, prindërit u ankuan shpesh herë për përmbajtjen, kualitetin si dhe mungesën e librave, mirëpo ankesa e tyre hasi në vesh të shurdhër për shumë vite ngase Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk ndërmori asgjë për asnjë nga ankesat e parashtruara.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, atë kohë si zgjidhje pa Marrëveshjen për të marrë libra nga Universiteti i Kembrixhit, projekt ky i cili u vlerësua si i dështuar madje pak kohë më parë Qeveria e Maqedonisë miratoi vendim që të anulohet implementimi i programit të Kembrixhit për gjimnazet e viteve të para, të shkollave të mesme profesionale katërvjeçare dhe shkollave të mesme profesionale trevjeçare, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi edhe me shkollat fillore.
Nga ana tjetër Iniciativat e Ministrisë së arsimit, për evidentimin dhe përmirësimin e gabimeve në tekstet shkollore , për Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë, janë të pa mjaftueshme. Arsimit shqip i nevojiten komplet tekste të reja dhe strategji e re arsimore, sepse strategjia e mëparshme nuk ka treguar rezultat, konsideron Kryetari i Lash-it , Nuhi Dardhishta.
Kurse sa i përket unifikimit të teksteve shkollore, edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze, madje nxënësit as këtë shtator nuk do ta kenë në duar as edhe Abetaren e unifikuar.
Ndryshe, nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë filluan të mësojnë sipas programit të “Kembrixhit” prej vitit 2014, ndërsa ky program më vonë filloi të zbatohet edhe në klasën e katërt, pestë dhe gjashtë./Portalb