Shkrirja e Ministrisë së Integrimit, Gjosha replika me Bushatin

Pas emërimit të kabinetit të ri në Asamblenë e PS-së, ka reaguar dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e cila u shpreh se ka ngelur e zhgënjyer me emrat e rinj të qeverisë “Rama 2”. Ajo madje shprehet skeptike për efektivitetin e të zgjedhurve të rinj të Ramës për integrimin e vendit në BE.

“Mendova se qeveria e re do të niste me prioritetin madhor të Shqipërisë dhe shqiptareve që është integrimi europian i vendit, me vizionin apo strategjinë se si Shqipëria do të shkojë drejt çeljes se negociatave. Integrimi nuk është shpallja me zhurmë e qeverisë së re dhe as mbledhjet e Asambleve të partive politike, përkundrazi është një mori kriteresh, një koordinim i pafundëm procesesh e mbi të gjitha është seriozitet dhe respekt për institucionet dhe funksionimin e tyre.

Jam e bindur se Ministria e Integrimit do të atashohet diku në ndonjë cep të qeverise por kurrë nuk kisha menduar se as nuk do të përmendej në fjalën e mbajtur sot mbi qeverinë e re! Thua vallë nuk është me prioritet? Uroj të jem gabim për sa kohë kemi fëmijë që rrisim në Shqipëri dhe ku e vetmja shpresë për një shtet funksional është pikërisht ky proces historik i vendit”, shkruan Gjosha.

Përplasja

I menjëhershëm i Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili me anë të një statusi në Twitter, i është përgjigjur Klajda Gjoshës ku shkruan se të mos të shqetësohet për integrimin evropian të vendit. “S’ka vend për shqetësim. Integrimi në BE do jetë kryefjala e reformave tona.

Mirëpresim kontributin e opozitës, përfshirë tëndin Klajda”, shkruan Bushati. Por në një reagim të dytë në “Facebook”, Gjosha i është përgjigjur serish Bushatit duke i thënë se “kontributi i LSI-së do të jetë gjithnjë në funksion të procesit të integrimit.

“Pa merak i dashur Ditmir, kontributi i LSI dhe i imi personal do të jetë gjithnjë në funksion te procesit te integrimit, pasi vetëm kështu Shqipëria do të shpëtojë njëherë e mirë nga: korrupsioni, krimi i organizuar, blerja e votës. Ndaj dhe ndjejmë keqardhje, që flamuri për këtë proces ngrihet nga qeveria dhe Kryeministri sa herë i intereson dhe harrohet që është prioritet kombëtar i të gjithë shqiptarëve e nuk përmendet në këtë mandat të dytë! Suksese!

Kritika

Ish-deputetja e Partisë Socialiste që iu bashkua LIBRA-s, Mimoza Hafizi ka reaguar pas publikimit të emrave të kabinetit qeveritar ‘Rama 2’. Përmes një statusi në ‘Facebook’, Mimoza Hafizi shpreh pakënaqësi për rizgjedhjen e Lindita Nikollës si ministre e Arsimit duke e quajtur atë si marionetë politike. Hafizi shprehet se marionetat politike në krye të arsimit do kalojnë lehtësisht çdo akt e ligj në favorin e tyre, ndërsa ky është një lajmi i hidhur për studentët, nxënësit e mësuesit. “Aspak surprizë për askënd vazhdimësia në arsim e Qeverisë!

E hidhur për studentët, për nxënësit e mësuesit, por jo për klientët privatë të Rilindjes. Ata le të vazhdojnë të përfitojnë, të tallen, të kënaqen, pasi marionetat politike në krye të arsimit do kalojnë lehtësisht çdo akt e ligj në favorin e tyre. Duke cenuar pa dhimbje hapësirën e vuajtur të arsimit publik. Ende shpresoj e besoj të ketë rezistencë, LIBRA do të jetë zëri i vlerave në politikë, në mbrojtje të demokracisë dhe interesit publik. Gjithsesi, më mirë Sokrat i vuajtur sesa derr i kënaqur!”, shkruan ajo

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button