Dunford bisedon me presidentin kinez për Korenë e Veriut
Shefi i shtatmadhorisë amerikane i dha fund vizitës së tij në Kinë, ndërsa tensionet në gadishullin Korean janë rritur. Të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut pritet të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake, njofton Zëri i Amerikës.
Gjenerali Joe Dunford u takua me presidentin kinez Xi Jinping të enjten gjatë një vizite tre-ditore që ai tha se ishte e mbushur me shkëmbime transparente dhe të sinqerta me udhëheqësit kinezë.
“Unë mendoj se të gjithë pajtohen se presioni diplomatik dhe ekonomik për momentin është qasja e duhur, dhe të gjithë besojnë se sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të zbatohen me forcë për të krijuar kushtet për një diskutim më të gjerë politik për këtë çështje”, tha ai.
Vizita e Gjeneralit Dunford në Kinë përfshiu edhe një ndalesë në Komandën Veriore të vendit, e cila mbikqyr forcat ushtarake kineze të dislokuara përgjatë kufirit 1400 kilometra të gjatë me Korenë e Veriut. Ai gjithashtu nënshkroi një marrëveshje të re të komunikimit me ushtrinë e Kinës që në muajin nëntor do të rezultojë me bisedime të nivelit të lartë dhe që synon të parandalojë gabimet në rast se shpërthen lufta në Gadishullin Korean.
Mijëra trupa amerikane dhe të Koresë së Jugut do të fillojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake të hënën, të cilat pritet të zemërojnë Korenë e Veriut. Kina ka sugjeruar që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut të mos bëjnë stërvitjet ushtarake si një shenjë e përpjekjeve për të ulur tensionet në gadishull, megjithatë gjenerali Dunford tha se stërvitjet vjetore janë të panegociueshme.
“Për aq kohë sa Koreja e Veriut nuk demonstron gatishmëri për të hequr dorë nga prodhimi i armëve bërthamore dhe raketave balistike që mund të kërcënojnë Japoninë, Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe të them të drejtën edhe Kinën, unë nuk do të rekomandoj dhe nuk kam rekomanduar pakësimin e stërvitjeve ushtarake”.
Ndërsa gjatë ndalesës tjetër në rajon, gjeneralit Dunford viziton Japoninë, Presidenti Donald Trump të premten do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar një strategji të re për luftën në Afganistan.
A nuk meritojnë trupat amerikane atje një politikë të përditësuar?
“Jam dakord me këtë. Për këtë arsye ne po shpenzojmë kaq shumë kohë duke punuar në këtë drejtim. Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e një angazhimi afatgjatë në Afganistani”, tha Shefi i Shtatmadhorisë, Joe Dunford.
Pas gati 16 viteve të luftës, aktualisht rreth 8,400 trupa amerikane janë të dislokuara në Afganistan.