Rasmussen: Më shqetëson mungesa e burimeve të EULEX-it

Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar të hënën se është i shqetësuar për faktin se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, nuk ka burime të mjaftueshme, dhe për pasojë shpeshherë i është dashur Aleancës ushtarake të marrë barrën që nuk i takon.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë nuk ka “burime të mjaftueshme” ka thënë shefi i NATO-s, duke thënë se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën. 

“Të jem i sinqertë, jam shumë i shqetësuar, për faktin se misioni i BE-së, EULEX-i, nuk ka burime të mjaftueshme, që në praktikë, ka implikime të fuqishme për NATO-n, sepse pastaj po ndikohen operacionet tona të KFOR-it”, transmeton DPA, deklaratën e Anders Fog Rasmusen dhënë para ligjvënësve të BE-së, transmeton REL.

Derisa KFOR-i është vendosur në Kosovë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit, më 1999, misioni i BE-së, është dërguar pas pavarësisë së Kosovës, për të ndihmuar ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe sundimin e ligjit.

“Ne duhet të ndërmarrim detyrat dhe përgjegjësitë që nuk janë paraparë, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Rasmusen gjatë një debati në Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme në Bruksel.

“Shpresoj se ju mund të përdorni ndikimin tuaj në mënyrë që EULEX-i të ketë burime të mjaftueshme”, ka thënë Rasmusen./koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button