“Arbëresha” e Lec Kurtit më e vjetër se “Mrika” e Prenk Jakovës?

Opera “Mrika” e Prenk Jakovës nuk e mban më epitetin e operës së parë shqiptare. Fiks 43 vjet para saj, mendohet se shkodrani tjetër Lec Kurti ka shkruar operën “Arbëresha”. 

Ajo mendohet se është shkruar në vitin 1915, por nuk dihet nëse ndonjëherë është vënë në skenë qoftë edhe pjesërisht. Këtë do ta bëjë Trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të martën. Veprën do ta vërë në skenë në kuadër të koncertit të veçantë me titull “Pena e muziktarëve rilindas”. 

Ndryshe, Prenk Jakova mbetet krijuesi i operës së parë shqiptare të vënë në skenë. Fillimisht kjo kishte ndodhur në Shkodër drejtuar nga vetë autori “Mrika”, në vitin 1958, mbështetur në veprimin skenik “Dritë mbi Shqipëri”. 

Deri tash vepra “Arbëresha” është ruajtur në Shkodër nga nipi i Lec Kurtit, Albert Kurti, i cili edhe ia ka ofruar TKOB-së këtë vepër. Gjatë komunizmit nuk ishte folur as për këtë vepër e as për Lec Kurtin, derisa për herë të parë për këtë kishte folur artistja Tinka Kurti, që kishte lidhje farefisnore me kompozitorin dhe diplomatin shkodran. 

Mediet shqiptare kanë shkruar të dielën se nuk dihet në çfarë rrethanash është shkruar, madje as nëse është vënë ndonjëherë në skenë, por me siguri dihet se “Arbëresha” është opera e parë shqiptare. Nga ajo kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, ka shpjeguar se opera e panjohur e diplomatit shkodran është e para e shkruar nga një kompozitor shkodran, pra më e hershmja, edhe pse nuk dihet nëse e ka prekur skenën. 

“Lec Kurti është mjaft interesant, dhe pse për të është folur pak ose aspak. Gjatë viteve mes dy luftërave ai ka qenë diplomat dhe gjendej nëpër ambasada. Më tej erdhi në Shqipëri si patriot për të kontribuar për vendin e tij. Ka qenë i djathtë nga bindjet politike dhe bashkë me Mit’hat Frashërin qe një nga themeluesit e Ballit Kombëtar”, citojnë Cikon mediet në Shqipëri. 

Autori i “Arbëresha”, diplomati e kompozitori Lec Kurti, është i biri i Palok Kurtit, njërit ndër kompozitorët e parë shqiptarë. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë deri në vitet 1916 dhe më pas iu kushtua tërësisht diplomacisë dhe politikës. 

Ciko ka rrëfyer se në koncertin e së martës së 10 prillit do të vihet në skenë vetëm një pjesë e kësaj vepre, monologu dramatik i saj. 

“Nuk e kemi të plotë operën, por mund të them se nga aq sa kemi, kuptohet se është një vepër patriotike nga konteksti, ku përmendet Skënderbeu. Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e Shqipërisë”, ka thënë Ciko. 

Koncertin e së martës, nën titullin “Pena e muziktarëve rilindas”, TKOB-i ua ka dedikuar rilindësve që kanë vënë themelet e tingujve shqipë pothuajse një shekull më parë. Do të paraqiten vepra të rralla, dorëshkrime të panjohura që kanë fjetur, janë fshehur, janë harruar apo janë ndaluar në periudha të ndryshme.

Mbrëmja e sotme do të bëjë bashkë emrat si Palok Kurti, Frano Ndoja, Fan S. Noli, Lec Kurti, Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu, Mikel Koliqi, Prenk Jakova dhe Kristo Konos. Aty do të interpretohet edhe dokumenti i parë i muzikës shqiptare (1881) “Bashkimi i Shqipërisë”, “Himni i Organizatës Vatra” deri tek krijimet e viteve 1930-1940. 

Në skenë do të interpretojnë solistët Irini Nikolla, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Irida Dragoti, Denis Skura, Solen Alla, që do të përcillen nga Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-it, ndërsa në piano do të luajnë Lindita Kotorri dhe Ardita Bufaj, nën dirigjimin e mjeshtrit të madh Zhani Ciko./koha.net/

Lajme të ngjashme

Back to top button