Lazim Destani demanton, nuk kandidohem për kryetar të komunës së Tetovës

Pronari i kompanisë “Ecolog” nga Tetova, Lazim Destani ka demantuar shkrimet në disa media shqiptare se ka për qëllim të kandidohet për kryetar të komunës së Tetovës. 

Përmes një komunikate për media Destani sqaron se veprimtarinë e tij do ta vazhdojë si biznesmen dhe se nuk ka plane për të filluar karrierë politike.

Në vazhdim e botojmë reagimin e kompanisë Ecolog në formë integrale:

Titulli “Lazim Destani për Tetovën” i botuar në një faqe të sajuar elektronike (www.lazimdestani.com), i shoqëruar nga një tekst: “Rinia tetovare kërkon biznesmenin tetovar Lazim Destani për kryetar komune!”, nuk ka për burim asnjë instancë që përfaqëson zyrtarisht z. Destani. 

Mbi këtë tekst të shkurtër, kishte dalë me informacion edhe gazeta “Koha” e datës 9 prill (fq. 4) e cila për lexuesit e vet kishte përcjellur dilemën nëse “kjo është faqe personale dhe zyrtare e biznesmenit tetovar, ose ndonjë grupi inicues që kërkon kandidaturën e tij”. 

Lajmi i njëjtë është ribotuar edhe në një sërë portalesh duke u referuar në të njëjtin burim informacioni.

Pra as faqja elektronike, as ideja për ndonjë përfshirje eventuale në politikë, nuk kanë kurrfarë mbështetje dhe lidhje me vetë z. Destani. 

Si rrjedhojë dhe me qëllim të  parandalimit të konfuzionit të mëtutjeshëm të opinionit publik, është vënë kontakt me regjistruesit e faqes jo-zyrtare dhe u është kërkuar me dashamirësi ta mbyllin sa më parë faqen e theksuar më lartë.

Z. Lazim Destani është shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë shprehur e vazhdojnë të shprehin vullnetin e tyre për t’i besuar një përgjegjësi politike siç është ajo e udhëheqjes së komunës, por megjithatë ai shpreh qartë edhe njëherë se nuk ka ambicje politike dhe është i përcaktuar të vazhdojë me kontributin e tij përmes aktiviteteve sipërmarrëse dhe atyre sociale. 

Në veçanti vlerësojmë lart angazhimin e deritashëm të medias për informimin profesional të aktiviteteve sociale dhe atyre të biznesit të familjes Destani dhe kompanive të tyre.

/portalb/


Lajme të ngjashme

Back to top button