Kryeministri turk pas 27 viteve për vizitë në Kinë

Kryeministri turk Taip Rexhep Erdogan, të hënën do të mbërrijë në Pekin, ku me përfaqësuesit zyrtarë kinezë do të bisedojë për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike të të dyja vendeve, ekonomitë e të cilave gjenden në rritje të madhe.

Vizita e Erdoganit e para e një kryeministri turk në Kinë, pas plot 27 viteve, vijon pas vizitës së shkurtit në Ankara, të nënpresidentit kinez Si Xhinoing. Gjatë kësaj vizite të dy vendet nënshkruan disa marrëveshje në vlerë prej disa miliardë dollarë.

Agjencia kineze, Sinhua, thekson se Erdogan në Kinë vjen me 300 biznesmenë, me shpresë se do t’i interesojë investitorët kinezë, por edhe në tentim që të rris eksportin turk në Kinë.

Kryeministri turk vizitën në Kinë do ta fillojë nga Urumçi, kryeqyteti i provincës Sinxhan, në të cilën jeton minoriteti mysliman Ujgurët, të cilët etnikisht janë të afërt me turqit.

Provinca Sinxhan në vitin 2009 ishte bastion i përleshjeve të mëdha mes pjestarëve të ujgurëve, të cilët janë shumicë në këtë rajon të cilët kërkojnë autonomi më të madhe dhe kinezëve. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button