Partitë “mprehin” shpatat!

Në Maqedoni veç më është bërë praktikë që çdo herë para cikleve zgjedhore qoftë parlamentare apo zgjedhore të ngrihen tensione të larta politike në mes pushtetit dhe opozitës. Ajo që duhet theksuar është fakti se këto ‘kacafytje’ bëhen shumë më përpara. 

Pra, edhe pse deri në zgjedhjet lokale ka edhe një vit, si në bllokun politik maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar veç më kanë filluar aktivitetet në këtë drejtim. 

Sipas analistëve politik partitë në pushtet interesat partiake po i vënë para interesave shtetërore. Ata thonë se pushteti do të bëjë përpjekje që bashkë me zgjedhjet lokale të organizojë edhe zgjedhje parlamentare.  Profesori universitar Alajdin Demiri në gjithë këtë situatë sheh dy tendenca tek partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).  

“Tash jemi në një fazë të aktiviteteve intensive partiake që dëshmon dy tendenca. Tendenca e parë është mosinteresimi i partive politike për çështjet vitale shtetërore. Tendenca e dytë është interesimi vetëm për interesat partiake – fitore vetëm të partive politike. Në vazhdën e kësaj synimi i partive politike është që vitin e ardhshëm të ketë edhe zgjedhje lokale edhe zgjedhje parlamentare njëkohësisht, për arsye të thjeshtë se VMRO dhe BDI duan të afirmojnë interesin partiak . Por, do të ketë delegjitimim të këtij pushteti për arsye se objektivat programore dhe platformat e këtyre dy partive nuk do të realizohen siç janë integrimi në NATO dhe BE, ndërsa nga ana tjetër do të rëndohet situata ekonomike”, deklaroi profesori universitar, Alajdin Demiri.  

Ai më tej potencoi se nuk do të ketë investime as nga Kina as nga India.  “Këtë gjendje partitë në pushtet do ta shfrytëzojnë për afirmim të platformave vetanake”, tha Demiri.  

Analisti politik Albert Hani vlerëson se fenomeni i aktiviteteve parazgjedhore të partive politike, jashtë afateve ligjore, po behet traditë në sferën publike.  

Ai thotë se partitë fillojnë ti masin forcat e tyre reale, bëjnë strategji për qasje në fushatë në bazë të interesave dhe nevojave të popullatës.  

“Duke u fokusuar në elemente populiste, fushatat e përpiluara nuk lënë vend për kreativitet, inovacion si dhe promovim të ndonjë ndryshimi të dëshiruar që është i ndjeshëm ose kontrovers, si për shembull çështja e kontestit me Greqinë. Nga aktivitetet e para mund ti kuptojmë lehtë drejtimet e fushatës si dhe mesazhet kryesore të cilët na sinjalizojnë për intensitetin e kacafytjeve. Gjer më tani zgjedhjet lokale, parlamentare ose presidenciale, nuk janë kuptuar seriozisht si betejë e ideve dhe qasjeve në probleme sociale, prandaj shpesh gjinden momente të volitshme për të kërkuar zgjidhje të parakohshme, logjika e të cilëve është të tregohet gatishmëri për fitim e jo si nevojë e popullatës dhe rrjedhuri e pakënaqësisë.  M’u për atë kemi patur shembuj me efekt të kundërt në zgjedhjet e parakohshme të radhës së kaluar”, deklaroi analisti politik Albert Hani.

Marrë nga: zhurnal

Lajme të ngjashme

Back to top button