Ish-drejtori i ANP-së, i pafajshëm

Ish-drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Afrim Aziri, është shpallur plotësisht i pafajshëm, përmes një vendimi të shkallës prerë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Vendimit të Gjykatës Supreme për pafajësinë e Azirit, i ka paraprirë edhe vendimi i shkallës së partë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ku edhe kjo përmes vendimit shpalli si të pafajshëm ish-drejtorin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Afrim Aziri ishte arrestuar në zyrën e tij të punës, më 25 mars të vitit 2008, nga njësia për krime ekonomike e Policisë së Kosovës, nën dyshimin se ka kryer vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, ose autorizimit, ushtrimit të ndikimit si dhe mashtrimit në detyrë.

Destan Rukiqi, avokat mbrojtës i Afrim Azirit, thotë se të hënën edhe zyrtarisht përmes një vendimi Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur plotësisht të pafajshëm ish-drejtorin Aziri.
Sipas tij, pafajësinë e ish-drejtorit Aziri, e ka konfirmuar edhe një vendim paraprak i shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Avokati Rukiqi thotë se klienti i tij në momentin e arrestimit është akuzuar në pesë pika, por sipas tij, në fund ai është gjykuar vetëm për dy, ku edhe për to gjykata e ka shpallur si të pafajshëm.

Rukiqi thotë se pas vendimit të Gjykatës për pafajësinë e tij, Aziri ka ndërmend që të kërkojë kompensim Gjykatës për dëmin që i është shkaktuar atij.

Ai thotë se nga Gjykata do të kërkojë kompensim maksimal për një muaj sa ka qenë në paraburgim, pasi që ka qenë i privuar nga paga e tij, ndërkaq përmes padive private ai do të kërkojë kompensim për demin moral që i është shkaktuar atij.

Avokati Rukiqi thotë se pavarësisht ndryshimeve Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës duhet të marrë përsipër obligimet dhe të respektojë vendimet e gjykatave, në shtetin ku zhvillon veprimtarinë e tij, e sidomos deri në kohën kur Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka qenë ndërmarrje publike.

Marrë nga: info-kosova

Lajme të ngjashme

Back to top button