Evropa i humb nervat me Maqedoninë

Presidenti Gjorge Ivanov, nuk ka vizion e as fuqi për të udhëhequr aspiratat euro-integruese të Maqedonisë. Në vend që në vizitën e tij të parë për këtë mandat në Bruksel, të jep mesazhe të reja, të tregojë përkushtim real e jo vetëm teorik, ai ka vazhduar me muzikën e vjetër  të stilit ‘Maqedonia mbetet e përkushtuar në rrugën euro-atlantike, por gjithë tjerët i kanë fajet për mossuksesin tonë’. Kështu analistët i vlerësojnë rezultatet e vizitës së presidentit në kryeqendrën e euro-integrimeve.

Propaganda e kukullës së Gruevskit
“Është absurd që pa ndodhur asgjë në planin e ndryshmit të emrit, Ivanov si kukull e Gruevskit të shkojë në Bruksel dhe të thotë që ne jemi për euro-integrime. Është vizitë e karakterit propagandues sa për të thënë se Maqedonia është konstruktive, njëkohësisht e zbut situatën dhe shkon në harresë etiketa shumë e madhe e Gruevskit për korrupsionin e tij.” thotë për Portalb, analisti Mersel Bilalli.

“Ivanov nuk ka asnjë vizion të ri tani në këtë mandat, prej tij asjë nuk varet ai vetëm zbaton politikat qeveritare.” është i mendimit Bojan Mariçiç nga Qendra maqedonase për arsimim evropian (QMAE).

Dush i ftohtë nga ndërkombëtarët për kryetarin e ri
Edhe pse ia uruan mandatin e ri Ivanovit, ata urimin ia qëndisën me një sërë kritikash. Komisari për zgjerim, Stefan Fule i tha se duhet shqyrtuar kritikat e OSBE-së rreth procesit zgjedhor, ia ceki Ivanovit se Maqedonia ka dështuar në zbatimin e marrëveshjes politike të 1 marsit të vitit të kaluar dhe në rikthimin e dialogut politik. Ndërkaq, presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Von Rompuj i tha të tejkalohen interesat partiake dhe personale në Maqedoni. Ndërkombëtarët nuk e harruan as mos-zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Retorika e BE-së me kalimin e kohës po bëhet më e ashpër pasi që ajo humb nervat e saj me Maqedoninë sepse realisht asgjë nuk ndryshon te ne. Mesazhet e fundit janë në drejtim se as Ivanov e askush nuk mund ti ikin zgjidhjes së problemeve kyçe si që janë mungesa e lirisë së mediave, të gjyqësorit, korrupsioni në rritje. Këto porosi na çojnë të mendojmë se BE-ja më nuk do të shtiret e verbër ndaj problemeve tona që dukshëm nuk është vetëm çështja e emrit.” thotë për Portalb, Mariçiç.

Evopa na ka nxjerrë jashtë lojës dhe nuk ka ndonjë interesim të veçantë, kjo nuk bëhet vetëm për shkak të Ukrainës por thjeshtë ata më e kanë bindjen se këtij vendi i duhet një leksion tjetër më i ashpër.

“Presim që mesazhet e tyre të ashpërsohen deri në atë shkallë sa ti merret statusi i vendit kandidat pasi që Maqedonia nuk i plotëson më kriteret e Kopenhagës. “ thotë më tej Bilalli.

Të veprojmë në kundërshtim me apelet e Ali Ahmetit
Për Bilallin, dalje nga kjo situatë ka, duke mos e përkëdhelur Gruevskin.

“Problemi është se duhet vepruar në kundërshtim me apelet e BDI-së së Ahmetit. Ai duhet ta çon tensionin shumë lartë, duke thënë se me çdo kusht vendi do anëtarësim në NATO. Kjo mund dhe ta nxit Evropën të mendojë më seriozisht për ne sepse ajo frikohet për Maqedoninë vetëm nëse ka destabilizim. Kështu BDI nuk duhet të jetë kooperative por thjeshtë duhet të jep një kushtëzim të fuqishëm se duam të shkojmë në NATO. Tani është koha duke pasur edhe opozitën maqedonase jashtë Parlamentit”  tha për Portalb, Bilalli.  / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button