Universitetet prezantojnë ofertat para maturantëve dibran

Të gjitha universitetet në vendin kanë bërë prezantimin e tyre para maturantëve dibran, në shkollën e mesme “28 Nëntori” në Dibër. Më prezent kanë qenë përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Europës Juglindore  dhe FON, të cilët para maturantëve kanë dhënë sqarime për ofertat të regjistrimit të studentëve në vitin e parë.

Sipas sekretarit të kësaj shkolle të mesme në Dibër, Shaban Allajbegu, takimet e këtilla kanë pasur efekte dhe maturantët vlerësojnë se kanë marrë informacionet e duhura për regjistrimin e tyre në fakultete. Sipas Allajbegut, këtë vit maturën e përfundojnë 180 nxënës , prej të cilëve afër 120 maturantë janë nga paralelet me mësim në gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e maturantëve dibran do të vazhdojnë studimet superiore si në shkencat shoqërore,  dhe ato  teknike.

“Meqë e mbarova vitin e katërt , tani dua të shkoj në Fakultetin filologjik në USHT , dega e sociologjisë. Më pëlqen ky drejtim  që nga shkolla e mesme, ndaj dhe dua të përfundoj studimet në këtë sferë. Si studente e ardhshme nuk dua të mendoj se çka do të ndodhë me mua pasi të mbaroj studimet, meqë Dibra është vend i papunësisë”, theksoi maturantja Arta P. nga Dibra.

Maturanti B. F. Nga Dibra do të vazhdojë studimet në fakultetet e disperzuara në Dibër, dega Gjuhë dhe letërsi angleze.”Prindërit i kam të papunë dhe për mua është mundësi e mirë që të kemi në prag të derës këto fakultete të disperzuara sepse do mbetja pa studime.  Më pëlqen gjuhën angleze dhe preferoj të studioj në këtë drejtim. Sikur të kisha mundësi do shkoja në Tetovë, por nuk km mundësi financiare ndaj e vetmja shpresë është fakulteti i Dibrës”, u shpreh maturanti dibran B. F.

Lajme të ngjashme

Back to top button