Dokumentat e zbardhur: Si e organizoi CIA, grushtin e shtetit në Iran

Në janar të vitit 1952, revista “Time” e shpalli Mossadegh-un “Njeriun e Vitit” në një artikull aspak ledhatues në kopertinë. Ajo e përshkroi atë si një “magjistar të çuditshëm plak”, shumë i ngrohtë me Moskën dhe vetë Iranin e quante “një vend malor midis Bagdadit dhe Detit të Havjarit”. Një vit e gjysmë më vonë, CIA orkestroi një marrje pushteti që rrëzoi Mossadegh-un, rivendosi shahun dhe e riktheu përsëri naftën në duart e britanikëve

Në fund të muajit që kaloi, Departamenti i Shtetit i SHBA publikoi pa shumë bujë një sërë dokumentash, të cilët tregojnë në mënyrë të hollësishme rolin e amerikanëve, në grushtin e shtetit të vitit 1953 në Iran.

Në atë vit, një komplot i përbashkët i CIA-s dhe britanikëve rrëzuan kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Mossadegh, një akt i nxitur nga gjeopolitika e Luftës së Ftohtë, si dhe indinjatës së perëndimorëve, prej shtetëzimit që Mossadegh po u bënte aseteve të naftës në Iran. Grushti i shtetit mund të tingëllojë i largët për amerikanët, por është ngulitur thellë në imagjinatën e shumëkujt në Lindjen e Mesme. “Eshtë një moment emocional ende shumë i rëndësishëm për iranianët”, thotë për Associated Press, Malcolm Byrne, drejtor studimesh në Arkivën Joqeveritare të Sigurisë Kombëtare në Universitetin George Uashington. “Shumë njerëz e shohin atë si ditaën kur politika iraniane hoqi dorë nga çdo shpresë për demokraci”.

Rrëzimi e Mossadegh-it dhe rikthimi në pushtet i regjimit autoritar dhe pro-perëndimor të shahut të Iranit, krijoi idenë për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë – kompania e të cilës Angle-Persian Oil Company (sot e njohur si BP) dikur dominonte industrinë iraniane të naftës – si shtypës neo-imperialistë që po fusnin hundët në punë e brendshme. Dhe është një histori ende relevante, sot kur një krah në Uashington dëshiron haptazi ndryshim regjimi në Teheran.

Mossadegh ishte një nacionalist populist, i irrituar prej kontrollit që fuqitë perëndimore kishin mbi pasuritë natyrore të Iranit. Interesat britanike të naftës në Iran funksiononin në një kontekst neokolonal – përgjatë Luftës së Dytë Botërore, punëtorët iranianë vuajtën kolerën dhe mungesat e ushqimeve në rafinerinë kryesore të kontrolluar nga Britania, rafineri e cila ndihmonte për të mbajtur në lëvizje makinën e luftës së aleatëve. Në vitin 1951, Mossadegh vendosi të shtetëzonte kompanitë britanike të naftës, duke shkaktuar një krizë globale, si dhe një bojkot të udhëhequr nga britanikët dhe SHBA.

Në janar të vitit 1952, revista “Time” e shpalli Mossadegh-un “Njeriun e Vitit” në një artikull aspak ledhatues në kopertinë. Ajo e përshkroi atë si një “magjistar të çuditshëm plak”, shumë i ngrohtë me Moskën dhe vetë Iranin e quante “një vend malor midis Bagdadit dhe Detit të Havjarit”. Një vit e gjysmë më vonë, CIA orkestroi një marrje pushteti që rrëzoi Mossadegh-un, rivendosi shahun dhe e riktheu përsëri naftën në duart e britanikëve.

Dokumentat e botuara rishtaz – pjesë e një transhi prej më shumë se 1,000 dokumentash që lidhen me korrespondencën zyrtare amerikane mbi grushtin e shtetit të Iranit në të dyja administratat, Truman dhe Eisenhouer – nxjerrin zbuluar se si interesat amerikane ishin të motivuara, si nga frika e komunistëve iranianë, ashtu edhe nga dëshira për të ndihmuar Britaninë të rimerrte kontrollin mbi asetet e saj të naftës. Megjithëse ka ende mjegull mbi mënyrën se si u ekzekutua grushti i shtetit, dokumentet tregojnë mënyrën se si përfshiheshin organe të ndryshme të aparatit të politikës së jashtme amerikane, në përpjekjen për ta detyruar Mossadegh-in të largohej. Kjo përfshinte Loy Hendersonin, në atë kohë ambasador i SHBA në Teheran.

“Herë pas here, Hendersoni deklaronte pa iu dridhur qerpiku, se SHBA ndiqte politikën parimore të mosndërhyrjes në politikën e brendshme të një vendi tjetër”, shkruan Ervand Abrahamian, një historian i Iranit, pasi ka skanuar dokumentat. “Më pas, ai përvishte mëngët dhe bënte të kundërtën e asaj që deklaronte”.

Abrahamian vëren gjithashtu se, megjithëse thuhet shpesh se Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga Britania, nuk ishin shumë të merakosura për naftën e Iranit, duket se zyrtarët amerikanë ishin gjithësesi të shqetësuar për pasojat që do të vinin, pasi një vend në Lindjen e Mesme të merrte pasuritë e veta në duart e veta.

“Shembulli [i shtetëzimit të suksesshëm] mund të ketë efekte të rënda në koncesionimin e naftës për SHBA në pjesë të tjera të botës,” vë në dukje Eisenhouer në një debat të Kabinetit të tij.

Dokumentet tregojnë se si CIA udhëhoqi pothuaj çdo hap të heqjes së Mossadegh-ut, duke përfshirë ndihmën për të krijuar protestanë rrugë pro-monarkisë dhe  kundër Mossadegh-ut. Në një letër, Kermit Roosevelt Jr. – zyrtari kryesor i CIA-s që orkestroi grushtin e shtetit – shprehej i kënaqur kur ushtria filloi të godasë kundër-demonstruesit e majtë nga Partia Tudeh, e cila ishte e lidhur me Moskën.

“Pati një tjetër shenjë shumë inkurajuese të dielën në mbrëmje, dhe ajo ishte që Tudeh nisi disa demonstrata… dhe duke vepruar pa urdhëra, ushtria nisi t’i rrahë, dhe të dielën pasdite katër kamionë të mbushur me anëtarë të përgjakur të Tudeh u larguan nga vendngjarja prej ushtrisë, dhe ata nuk kishin autorizim”, shkruan Roosevelt. “Ishte një gjë spontane, dhe kjo na dha shumë kurajë”. Tashmë, Mossadegh kishte ikur në mërgim. Shahu do të rikthehej shumë shpejte, dhe aty do të nisnin dy dekada sundim autokratik. / Përgatiti: Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button