Tetovë, fëmijët u keqpërdorën për fushatë

Administrata publike edhe në këto zgjedhje ishte pjesë aktive e fushatës politike të partive të cilat merrnin pjesë me kandidatë të vet në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të parakohshme. Krahas presioneve, kushtëzimeve, kanosjeve dhe obligimeve që vazhdimisht të jenë në diskonim, nga të punësuarit, duke i përfshirë këtu edhe profesorët dhe arsimtarët, është kërkuar agjitim aktiv me telefon, prani nëpër mitingje dhe përfshirje të të rinjve në procesin zgjedhor.

Sipas informatave të vëzhguesve tanë, fëmijët masovikisht janë shfrytëzuar për agjitim, vëzhgim dhe plotësim të numrit të të pranishmëve në mitingje. Propaganda masovike mediatike i përfshiu madje fëmijët në moshë 6-10-vjeçare të diskutojnë për politikë. Ata janë nën ndikimin e vazhdueshëm të prindërve të tyre, anëtarë të partive apo punëtorë të rrezikuar, të cilëve nga rezultati i zgjedhjeve u varet ekzistenca. Në sheshin në Kumanovë, një grup fëmijësh janë përleshur rreth kandidatëve për president, për atë se cili është më i mirë. Një fëmijë ka marrë premtimin e prindërve se do të marrë pjesë gjatë votimit të tyre, për të mësuar se si votohet. Në Strumicë fëmijë para shtëpisë së deputetit Sllave Goshev kanë bërtitur – Stevo Pendarovski, ndërsa një grup tjetër fëmijësh – Gjorgje Ivanov. Kanë paraduar nëpër rrugë, pa ndonjë reaksion nga të moshuarit. Edhe në Facebook përdoreshin fotografi me fëmijë, të veshur me bluza dhe shenja të tjera partiake.

Shembull për agjitim partiak dhe kryerje të presionit nga ana e profesorëve kemi në Tetovë. Një gjimnazist ka qenë i thirrur nga profesori i vet në bisedë në zyrën e tij. Profesori e ka pyetur se cilës parti i takojnë prindërit e tij. I trembur për notën e vet, është përgjigjur se prindërit e tij janë simpatizantë të partisë anëtar i së cilës është profesori.

Të miturit ishin prezent në mitingjet e VMRO-DPMNE-së, BDI-së, LSDM-së dhe PDSh-së me flamuj, kapela dhe shenja të tjera partiake në Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Veles, Gjevgjeli, Shkup, Manastir, Demir Hisar, Resnjë dhe Strumicë. Më 24 prill, nëpër sheshin dhe garazhin nëntokësore në qendër të Strumicës, fëmijë të kombësisë turke, të veshur me bluza të cilat janë pjesë të materialit propagandistik të VMRO-DPMNE-së, kanë shëtitur dhe kanë shpërndarë fllaera. Njëkohësisht, fëmijë të kombësisë rome kanë shëtitur nëpër qytet me bluza të LSDM-së. Fëmijë të mitur, me shenja të VMRO-DPMNE-së, kanë shpërndarë fllaera nëpër shtëpi në fshatin Batinc, komuna Kisella Vodë. Kjo ndodhte në shumë komuna nëpër Maqedoni. Në Mallo Ilino, fshat i Demir Hisarit, fëmijë kanë qenë prezent në një vendvotim dhe kanë hedhur sytë nga kabinat e votimit derisa të tjerët kanë votuar. Prania e fëmijëve me prindërit e tyre në kabinë votimi ditën e votimit u bë praktikë e zakonshme.

Në dy shkolla të mesme të Shkupit, nxënësit janë liruar nga mësimi për të marrë pjesë në një miting të VMRO-DPMNE-së në Ohër. Në njërën shkollë u kanë thënë se në Ohër do të këndojë Daniell Kajmakovski, ndërsa në shkollën tjetër nxënësve me sukses më të dobët u kanë premtuar se do t’ua përmirësojnë notat./ Civil

Lajme të ngjashme

Back to top button