Murseli: Gruevski ngadhënjeu ndaj Ahmetit dhe Thaçit

Analisti Nebi Murseli duke komentuar marrëveshjen e re të VMRO dhe BDI për Qeverinë e Maqedonisë për Portalb thotë që fituesi më i madh në këtë proces është kryeministri Gruevski ndërsa shqiptarët do të jenë edhe katër vjet me këtë status, pa peshë, pa forcë vendimmarrje, dhe skajshmërish të shantazhuar nga ai.

“Duket se nuk ka fare marrëveshje midis VMRO-DPMNE-se dhe BDI-se, por ka vetëm vazhdimësi e bashkëqeverisjes. Gruevski koketonte tërë kohën me të dy partitë shqiptare, që edhe njëherë t’ua ulë pazarin politik. 
Fitues absolut është edhe njëherë Gruevski, dhe më këtë përbërje qeverisëse (me shumicën e deputetëve vetëm nga partia e tij), me këtë nomenklaturë politike – president Ivanovin, kryeparlamentar Veljanovskin, do ta ketë me lehtë të jetësojë programet e partisë së tij. 
Nuk shoh ndonjë ndryshim të kursit të tij, por vetëm homogjenizim edhe më të madh të nacionalizmit të tij të rremë dhe dominim ndaj shqiptarëve në çdo aspekt, si dhe nuk do të ndryshojë fare qëndrimet karshi çështjes kontestuese me Greqinë, e që është pengesë për euro-integrimet.
Natyrisht se humbës është Ali Ahmeti. Parakushtet parazgjedhore, parakushtet e vëna në kombinatorikat për qeverinë e ri ishin vetëm vello e tejdukshme e BDI-së, ngase kjo parti tashmë tërësisht është dorëzuar para Gruevskit dhe si alibi demode nxori, gjoja, anëtarësimin e Maqedonisë në NATO sivjet. Por, kjo parti harron se NATO edhe në samitin e sivjetmë ka thënë qartazi se nuk ka anëtarësime të reja. Por, humbës më i madh doli të jetë Menduh Thaçi. Ai vazhdimisht thoshte se PDSH do të jetë në qeveri, dhe se kjo është punë e kryer. Dhe, tash, pasi që është mashtruar nga Gruevski, nuk di çfarë arsyetimi do të gjejë Thaçi para votuesve të vet, të cilëve ua pat mbushur mendjen se PDSH do të bashkëqeveris me VMRO-DPMNE-në, pavarësisht forcave  në Parlament. Sidoqoftë, shqiptarët do të jenë edhe katër vjet me këtë status, pa peshë, pa forcë vendimmarrje, dhe skajshmërish të shantazhuar nga Gruevski.” Thotë për Portalb, Nebi Murseli. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button