BDI ka gjasa të tërhiqet nga bisedimet, Veljanovski sërish kryeparlamentar

Partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, mund të tërhiqet nga bisedimet për formimin e qeverisë së re nëse partia maqedonase VMRO-DPMNE nuk e pranon kërkesën e saj që kryetari i ri i Parlamentit të jetë shqiptar dhe seancat plenare në të ardhmen të drejtohen edhe në gjuhën shqipe. 

Kryetari i ri i Parlamentit pritet të zgjidhet të shtunën, menjëherë pas seancës për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, që është caktuar të mbahet në ora 13. 

Sipas të gjitha gjasave, institucioni ligjvënës do të drejtohet edhe në mandatin e ri nga Trajko Veljankovski. Për rizgjedhjet e tij pritet të votojnë 61 deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe deputeti i vetëm i partisë Iniciativa Qytetare për Maqedoninë, që përbëjnë shumicën në Kuvend, shkruan Top Channel. 

Të shtunën pritet të merret edhe vendimi i BDI-së për tërheqjen ose jo nga negociatat për qeverinë e re. Një çështje tjetër problematike në negociatat për koalicionin e ri qeveritar është insistimi i VMRO-DPMNE-së, që BDI-ja të njohë presidentin Gjorgje Ivanov si legjitim. 

Partia e Nikolla Gruevskit ka njoftuar të premten se nuk mund të bashkëpunojë me partinë e Ahmetit, nëse kjo e fundit nuk e njeh legjitimitetin e presidentit Ivanov. 

Në deklaratën me shkrim të lëshuar nga VMRO thuhet se për Ivanov kanë votuar 530 mijë qytetarë nga të gjitha nacionalitetet dhe për këtë parti është jashtë çdo logjike bashkëpunimi, me ata që nuk e pranojnë atë si president. Përveç BDI-së, edhe partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM, nuk e njeh legjitimitetin e president të ri të Maqedonisë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button