Erdogan nuk do të lejohet të mbajë tubime në Gjermani

Gjermania thotë se do të jetë e papërshtatshme, që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan t’u adresohet turqve në Gjermani gjatë samitit të G20-s javën e ardhshme, transmeton Top Channel.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha se Turqia e ka bërë zyrtarisht këtë kërkesë, por kjo nuk është një ide e mirë.

“Kjo nuk është një ide e mirë dhe ne kemi justifikim kushtetues për ta refuzuar atë. Në kuadër të G20-s, ne nuk kemi forca të mjaftueshme policie për të garantuar sigurinë, në rast të një fjalimi të Erdoganit para turqve. Vendi ynë është një vend i hapur, por nuk kemi ndërmend të sjellim konfliktet e brendshme politike të vendeve të tjera, brenda nesh”, tha Gabriel.

Samiti i G20-s do të zhvillohet në Hamburg në datat 7-8 korrik. Turqia ishte zemëruar nga refuzimet e Gjermanisë për të lejuar politikanët pro Erdoganit, që të merrnin pjesë në tubime në Gjermani gjatë fushatës elektorale në mars.

Erdogani madje përdori tone të ashpra ndaj Gjermanisë, duke e akuzuar qeverinë për sjellje të tipit nazist. Ministrat turq donin të bindnin diasporën turke të votonte pro në referendumin kushtetues të prillit, në të cilin Erdogan mori fuqi shtesë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara. Të dyja ato janë partnere në NATO, por Gjermania ka vendosur të tërheqë avionët e saj nga baza ajrore turke e Inçirlikut. Gjermania po ashtu ka paralajmëruar Turqinë se, agjentët turq të sigurisë që u akuzuan për dhunë në Uashington muajin e kaluar, të mos shoqërojnë presidentin Erdogan në Hamburg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button