Me 90 vota për shpërndahet Kuvendi i Kosovës

Pas një debati afro 2 orësh, me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime u shpërnda legjislatura e katërt e Kuvendit të Kosovës.

Në emër të Grupit të deputetëve që kanë propozuar seancën e jashtëzakonshme, Arsim Bajrami tha se kanë propozuar këtë mocion për të ruajtur stabilitetin e përgjithshëm institucional të Kosovës.

“Kërkojmë nga të gjitha partitë të mbështesin këtë mocion për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, tha Bajrami.
Kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se PDK e mbështet shpërndarjen Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve në Kosovë.

Ismet Beqiri, nga LDK-ja tha se kërkesë disamujore e LDK-së ka qenë që të shkohet në zgjedhje dhe sipas tij është e rëndësishme që ky Kuvend të mundësojë që të shkohet në zgjedhje dhe siç tha ai “kësaj Qeveria me ja tregu derën me shku në shtëpi”.

“LDK do të votojë këtë mocion. Është ngjarje e veçantë sepse qytetarëve iu mundësohet ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje”, tha Beqiri.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje kritikoi LDK-në se po i nënshtrohet PDK-së. Ai tha se flirti mes LDK-PDK vetëm vazhdonte të rritej.

Duke përmendur një mori kritikash ndaj Qeverisë së Kosovës, tha se këto nuk do të ndodhnin nëse nuk do të përkraheshin edhe nga partitë tjera.

Ai tha se faji për këtë gjendje bie mbi qeverinë dhe mbi ata deputetë që e kanë përkrahur, e që fatkeqësisht sipas tij, nuk janë vetëm të pozitës, por edhe të opozitës.

Lidhur me këtë, Beqiri nga LDK, tha se qeverisja lokale në Prishtinë dihet se ka flirtuar me PDK-në në zgjedhjet lokale.

Ardian Gjini nga AAK-ja tha se mocioni e shkarkon edhe Qeverinë, pasi me shpërndarjen e Kuvendit përfundon edhe puna e Qeverisë.

Ai tha se para disa javëve AAK ka iniciuar një mocion për shpërndarjen e Qeverisë, por një gjë e tillë nuk u mbështet as nga partitë opozitare. Gjini prezantoi një mori çështjesh problematike me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.

Ndryshe, shpërndarjes së Kuvendit i ka paraprirë edhe një takim i liderëve politikë me presidenten Atifete Jahjaga,e të cilët janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje më 8 qershor.

Sipas Kushtetutës, neni Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]1. Kuvendi shpërndahet në këto raste:

(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;

(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;

(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës.

2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button