Federalizimi, lojaliteti dhe shqiptarët e Maqedonisë

Zgjedhjet e fundit në Maqedoni dhe orvatjet post-zgjedhore për krijimin e Qeveris së re si asnjëherë më parë u shoqëruan me një fjalor të skajshëm albanofob dhe një gjuhe të urrejtjes ndaj qytetarëve shqiptarë me akuza monstruoze. Se nga buron e gjithë kjo paranojë e urrejtjes ndaj shqiptarëve të cilët nuk janë emigrantë por janë autoktonë në trojet e tyre kjo është temë që kërkon një studim të gjerë dhe shumë serioz ngaqë ky fenomen paraqitet ekskluziv vetëm ndaj etnitetit shqiptar dhe jo ndaj etniteteve dhe shteteve të tjera të cilët seriozisht e ofendojnë dhe e mohojnë bukur shpesh edhe vetë etnitetin maqedonas.

Gjatë gjithë historisë së shtetit të Maqedonisë, nga ana e udhëheqësve të deritashëm, qytetarët shqiptarë janë akuzuar dhe janë paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare si qytetarë të cilët punojnë për federalizmin e shtetit, si qytetar të cilët kërkojnë prishjen e karakterit unitar të shtetit dhe si qytetar jo-lojal ndaj shtetit, dmth nga vitit 1991 e deri më sot në vitin 2017 diskriminimi i shqiptarëve është bërë mbi bazën e këtyre tri etiketimeve të cekura më lartë. Dhe e gjithë kjo lojë e ndyrë është bërë në emër të patriotizmit populist maqedonas me devizën se gjoja po e mbrojnë shtetin nga elementi shqiptarë i cili nënkupton element federal, element anti-karakterit unitar dhe element jo-lojal ndaj shtetësisë së vendit.

Mirëpo thellë-thellë de facto brenda Maqedonisë është e kundërta e asaj që e propagandon propaganda shtetërore kundër qytetarëve të vetë shqiptarë.

Tani, po ta vizitosh Maqedoninë qoftë si shtetas i këtij shteti qoftë si turist i huaj ajo që të bie në sy që nga kryeqyteti e deri në çdo cep të shtetit është zhvillimi jo i barabartë edhe brenda të njëjtit qytet e të mos flasim për qytete dhe komuna rurale të cilat udhëhiqen nga udhëheqës maqedonas dhe në qytetet dhe komunat rurale të cilat udhëhiqen nga udhëheqës shqiptarë. Dhei gjithë ky diskriminim kolosal bëhet në emër të patriotizmit populist maqedonas nën parullën e famshme “Maqedonia për maqedonasit”!

Akuza e dytë që i bëhet qytetarëve të etnitetit shqiptarë çdo herë që ata kërkojnë realizimin dhe avancimin e të drejtave të tyre në mënyrë paqësore duke u thirrur në të drejtën dhe praktikat ndërkombëtare brenda Evropës, kësaj bashkësie ku synojmë të bëhemi anëtare edhe ne si shtet, është se shqiptarët kërkojnë prishjen e karakterit unitar të shtetit prandaj duhet luftuar të drejtat e tyre.

Paradoks i llojit të vetë, kërkesat e shqiptarëve për integrim brenda institucioneve të shtetit interpretohen si kërkesa kundërshtetërore.

Këtu vjen në shprehje një e drejtë e pashkruar e cila funksionon për shqiptarët në Maqedoni e ajo është “Kur përkatësia etnike është pengesë për avancim”!

Dhe akuza e tretë e cila i stopon shqiptarët aq shumë është etiketimi si element jo-lojal ndaj shtetit dhe në emër të kësaj akuze shqiptarët diskriminohen edhe në marrjen e shtetësisë së këtij shteti edhe pse ligjet pozitive janë shumë të qarta se kush mund të marrë shtetësinë e Maqedonisë mirëpo edhe në këto raste vlen drejtësia selektive.

Të gjithë këto akuza që iu bëhen shqiptarëve janë akuza të pabaza dhe të pa provuara deri më tani përkundrazi po të kemi një drejtësi stabile atëherë vendi dhe roli akuzave duhet ndryshuar vendin dhe identitetin e etnitetit.

Nuk janë shqiptarët ata që stopojnë zhvillim të barabartë të shtetit, nuk janë shqiptarët ata që stopojnë zhvillimin e barabartë të qyteteve qoftë edhe të kryeqytetit, nuk janë shqiptarët ata që ndajnë mjete financiare vetëm për kulturën e një etniteti, etj.

Shqiptarët asnjëherë nuk prishen karakterin unitar të shtetit sepse nuk janë shqiptarët ata që hartuan Platforma për ndarjen e shtetit, nuk janë shqiptarët ata që udhëheqin me Presidencën e shtetit që duhet të jetë institucioni që paraqet karakterin unitar të shtetit përkundrazi shqiptarët nga Presidenca kanë pësuar terrore nga më monstruozet që nga presidenti i parë Kiro Gligorovi e deri tek i fundit Gjorgje Ivanovi.

Shqiptarët nuk mund të akuzohen si element jo-lojal ndaj shtetit sepse janë pikërisht shqiptarët ata të cilët mbi 90% kanë vetëm një shtetësi dhe një pasaportë e ajo është shtetësia dhe pasaporta e Maqedonisë.

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kontestuan emrin, gjuhen dhe identitetin e Maqedonisë dhe jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë mirëpo lojalitet kanë treguar dhe dy shtetet shqiptare gjë që nuk ka ndodhur ne fqinjët e tjerë të Maqedonisë.

Janë vetë qytetarët e etnitetit maqedonas ata të cilët kanë hequr dorë nga identiteti i tyre respektivisht nga shtetësia e tyre duke pritur radhë të gjate për tu pajisur me shtetësi dhe pasaporta bullgare dhe serbe. Biles nga këto qytetarë të tillë sot kemi dhe funksionarë të lartë të qeverisë së kaluar dhe të tashmes prandaj çdo propagandë për të akuzuar shqiptarët me këto etiketime është thjesht një përpjekje për të mbuluar ato turpe të cilat i bëjnë vetë ata të cilat bëjnë propagandën e tillë!

Ngjarjet e 27 prillit të cilat ndodhen në Kuvendin e Maqedonisë janë pasqyra më reale e asaj se kush dhe cili etnitet ka lojalitet stabil ndaj këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button