Çejku: Pa shqiptarët nuk mund të ketë asnjë qeveri në Maqedoni

Për zhvillimet paszgjedhore në Maqedoni ka folur së fundmi edhe ish-Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili ka thënë se ethet për qeverinë e re, kanë lënë përkohësisht në hije analizat e rezultateve zgjedhore dhe qëndrimet e liderëve të partive të caktuara në raport me to. 

“Për momentin, emocionet që po shfaqin dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI e PDSH për fatin e koalicionit të ri, mendoj se në disa raste janë të tepruara dhe nuk u përgjigjen sfidave që kane përpara këto dy parti. Formimi i koalicionit të ri është vetëm njëri nga hapat që duhet të bëjë vendi, ndërkohë që vështirësia më e madhe mbetet kapërcimi i hendekut të marrëdhënieve ndër-etnike, që fatkeqësisht u thellua nga VMRO-DPMNE gjatë fushatës së fundit zgjedhore”, ka vlerësuar Çejku për Almakos. 

Tutje, lidhur me atë se cilën prej partive politike shqiptare e sheh në koalicionin e ardhshëm, pra BDI apo PDSH, ai theksoi se, “rëndësi ka që qeveria e re të ketë patjetër përfaqësim legjitim të shqiptarëve, sepse pa shqiptarët nuk mund të ketë asnjë qeveri në Maqedoni”. Përsa i përket emrit konkret që duhet të jetë pjesë përbërëse e koalicionit qeveritar ai the kson se, deri në momentin e fundit është vështirë të përcaktohet se kush do të jetë në qeverinë e re. 

“Është e vështirë të përcaktohet se kush do të jetë në qeverinë e re me VMRO-n e zotit Gruevski, përderisa negociatat e mazhorancës maqedonase me liderët shqiptarë duken të vështira. Pjesëmarrja shqiptare në qeverinë e re, nga cilado forcë, nuk duhet të jetë thjeshtë për dekor politik. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, avancimi i statusit përfaqësues të shqiptarëve dhe integrimi euro-atlantik i Maqedonisë duhet të jenë kushte të pa negociueshme në çdo projeksion të qeverisë se ardhshme. Liderët shqiptar në Maqedoni e kanë legjitimitetin e mjaftueshëm përfaqësues për të marrë vendimet më të mira për shqiptarët dhe ardhmërinë e Maqedonisë. Prandaj, para se të diskutohet për emrat, gjykoj se parimet duhet të udhëheqin bisedimet, qofshin ato zyrtare apo jozyrtare”, ka thënë Arben Çejku. 

Lajme të ngjashme

Back to top button